Kriza e strehimit po rikthehet në qendër të debatit politik në qytetet e mëdha të Evropës dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa rritja e çmimeve të banesave dhe qirave po e bën gjithnjë e më të vështirë gjetjen e një shtëpie të përballueshme.
Në Spanjë, mijëra qytetarë kanë protestuar kundër mosmiratimit të një ligji për të drejtën e strehimit të propozuar nga qeveria e Pedro Sánchez.
Ndërkohë, në Berlin, politika e strehimit është bërë pjesë e rëndësishme e debatit lokal, ndërsa në New York, kryebashkiaku Zohran Mamdani ka vendosur në programin e tij ndërtimin e banesave të reja me çmime të përballueshme dhe kufizimin e rritjes së qirave.
Problemi nuk kufizohet vetëm te qytetet më të mëdha. Në të gjithë Evropën, një numër në rritje qytetarësh po përballen me vështirësi për të blerë ose marrë me qira një banesë.
Sipas të dhënave të përmendura në analizë, rreth 7.7% e qytetarëve të Bashkimit Evropian jetojnë në kushte stresi të rëndë financiar për shkak të kostove të strehimit. Në Itali, kjo prek rreth 5% të popullsisë.
Pas pandemisë së COVID-19 dhe valëve të inflacionit, çmimet e banesave dhe qiratë janë rritur ndjeshëm, duke rënduar veçanërisht mbi të rinjtë, familjet me një të ardhur, studentët dhe shtresën e mesme. Presioni është edhe më i madh në metropolet ku kërkesa për banesa është e lartë dhe ku pronat konkurrojnë mes përdorimit për banim, investimeve dhe qirave turistike.
Në Evropë, çmimet mesatare të banesave për metër katror janë rritur me rreth 60% që nga viti 2013, ndërsa strehimi publik përbën më pak se 7% të stokut të përgjithshëm të banesave.
Në të njëjtën kohë, numri i pronave të listuara në platformat e qirave afatshkurtra, si Airbnb, është rritur ndjeshëm.
Italia përballet me një tjetër paradoks
Italia mbetet një vend me përqindje shumë të lartë të familjeve që zotërojnë banesën e tyre, mbi 80%. Megjithatë, kjo nuk e ka eliminuar problemin e aksesit në strehim.
Pavarësisht se çmimet e banesave në Itali nuk kanë kaluar nivelin maksimal të regjistruar para krizës financiare të vitit 2008, pagat kanë mbetur praktikisht të pandryshuara për dekada. Kjo ka bërë që blerja e një banese të jetë gjithnjë e më pak e përballueshme për një pjesë të popullsisë.
Ndërkohë, tregu i qirave po përjeton presion të shtuar për shkak të ofertës së kufizuar dhe rritjes së kërkesës.
Sipas analizave të tregut italian, qytete si Milano, Bolonja, Roma, Verona dhe Napoli po përballen me kosto gjithnjë e më të larta të strehimit.
Përballë kësaj situate, qeveritë po shqyrtojnë dy drejtime kryesore: ndërtimin e më shumë banesave në zonat ku kërkesa është e lartë dhe vendosjen e rregullave më të forta mbi tregun e qirave, qiratë turistike dhe investimet në pasuri të paluajtshme.
Edhe institucionet evropiane kanë propozuar një kombinim të këtyre dy qasjeve, përmes rritjes së numrit të banesave dhe forcimit të rregullave të tregut. Megjithatë, fondet në dispozicion dhe ritmi i masave mbeten ndër sfidat kryesore.
Kriza e strehimit po shndërrohet kështu në një nga çështjet më të rëndësishme sociale dhe politike për qytetet evropiane, duke prekur drejtpërdrejt familjet, të rinjtë dhe shtresën e mesme. /tvklan.al