Ish-gjenerali “shpërthen” ndaj Speciales: Mjaft më, Gjykata të kthejë Thaçin dhe të tjerët në Kosovë

Ish-gjenerali amerikan Wesley Clark ka reaguar lidhur me dënimin e katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke shprehur zhgënjimin e tij për rezultatin e procesit gjyqësor.

Në një prononcim në Klan News, Clark tha se është veçanërisht i zhgënjyer edhe për faktin që ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është mbajtur në paraburgim për rreth pesë vjet.

“Po, jam i zhgënjyer me rezultatin dhe jam i zhgënjyer që Thaçi ishte mbajtur në paraburgim prej 5 vitesh”, u shpreh Clark.

Ish-gjenerali amerikan ka qenë një prej figurave të rëndësishme të ndërhyrjes së NATO-s gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999.

Duke folur për Klan News, Clark tha se dënimi i ish-krerëve të UÇK-së ishte ofendues. Ai theksoi se Hashim Thaçi nuk mund të kontrollonte se çfarë ndodhte në luftë. Ai nënvizoi se populli shqiptar kishte të drejtë të rebelohej kundër pushtuesit serb.

“Asnjëherë nuk më janë treguar prova për atë që mund të kishte bërë Thaçi. Unë e kam takuar dy herë Hashim Thaçin gjatë konfliktit në Kosovë. Ai nuk ishte udhëheqësi, Agim Çeku ishte drejtuesi. Hashim Thaçi fliste gjermanisht, ai nuk kntrollonte përditë se çfarë ndodhte në luftime. Pas luftës, askush nuk kontrollonte dot se çfarë ndodhte. Pas luftës, mund të ketë pasur të kthyer shqiptarë, që mund të ketë bërë ndonjë gjë nga ajo që iu kishte ndodhur. Shqiptarët e kanë pasur të drejtën e rebelimit.

Por gjykata thoshte se dikush u vra dhe se dikush duhet të merret përgjegjës për këtë vrasje. Kjo ka qenë diviza e gjykatës. Vendimi është ofendues. Në Iran ka njerëz që janë të rebeluar kundër regjimit. Nëse atje prsh njerëzit rebelohen kundër regjimit dhe ka ndonjë vrasje, atëherë dënoheshkan? Kur e thashë këtë në Hagë, atë më ndërprenë dhe nuk e kuptova se përse e bënë këtë“, theksoi ai.

Ish-gjenerali Wesley Clark, ka kërkuar që Hashim Thaçi dhe të tjerët të kthehen sa më shpejt në Kosovë.

Ai tha se Europa duhet të respektojë popullin e Kosovës, ndërsa theksoi se, sipas tij, Hashim Thaçi është “viktimë” e një procesi të gabuar.

“Europa duhet të respektojë popullin e Kosovës, që luftuan për parimet. Millosheviçi ka qenë përgjegjës. Ai ishte një person që donte të promovonte spastrimin etnik. Hashim Thaçi është viktimë dhe kjo është gabim”, u shpreh Clark.

Ish-gjenerali amerikan tha gjithashtu se kishte kërkuar prova lidhur me akuzat ndaj Thaçit, por sipas tij, nuk kishte parë prova të tilla.

Clark iu referua edhe periudhës së luftës në Kosovë, duke theksuar se në atë kohë, sipas tij, kishte prova për veprime vrastare të Ish-Jugosllavisë dhe se autoritetet kishin ndërmarrë hapa ndaj personave të dyshuar për krime lufte.

Ai theksoi se Tribunali i Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi ishte më i drejtë se Gjykata Speciale, pasi sipas tij, vendimet e saj bazoheshin në prova reale.

“Europa duhet të respektojë popullin e Kosovës, që luftuan për parimet. Millosheviçi ka qenë përgjegjës. Ai ishte një person që donte të promovonte spastrimin etnik. Hashim Thaçi është viktimë dhe kjo është gabim. Unë kam kërkuar provat, dhe nuk kishte prova. Të paktën në dijeninë time.

Mendoj se ishte, sepse në atë kohë kishte prova të vërteta për veprimet e gabuara që u bënë.  Ne parashtruan informacione në atë kohë. Arrestuan disa kriminelë lufte. Mendoj se gjykata ka marrë fund. Le të rikthejmë Hashim Thaçin dhe të tjerët në Kosovë, dhe të kthehen në jetën e tyre. Të ecim përpara. Hashim Thaçi ka kaluar 5 vite në paraburgim. Mjaft me kaq“, tha ai.

I pyetur nëse do ishte gati për të dëshmuar në Apel në favor të ish-krerëve të UÇK-së, ish-gjenerali dha këtë përgjigje:

“Do e vlerësoja shumë nëse do më ftonin për të shpjeguar se çfarë ndodhi“, tha ai.

“Millosheviçi mendje gjenocidale”, Clark: Thaçi patriot, u kthye në Kosovë në kohë krize

Ish-gjenerali suprem i NATO-s Wesley Clark, në intervistën për Klan News foli më shumë për atë që ndodhi gjatë luftës në Kosovë. Clark u shpreh se Millosheviçi kishte një mendje gjenocidale. Ai vlerësoi figurën e Hashim Thaçit, duke thënë se ish-presidenti i Kosovës ishte një patriot, që u kthye në atdhe për ta mbrojtur atë.

“Gjatë luftës, ne i kërkuam Millosheviçit që të tërheqë trupat dhe i dhamë një dokument, që e vërtetonte këtë. Ai më tha se shqiptarët janë vrasës, janë përdhunues. Ai ma tha se jemi marrë me shqiptarët më parë dhe se ne e kemi zgjidhjen dhe ne “do i vrasim të gjithë”. Millosheviçi e nënshkroi dokumentin, por në janar çoi sërish forcat në Kosovë dhe rinisi spastrimin etnik. Kurrë nuk krahasohet Millosheviçi me Hashim Thaçin. Thaçi ishte një patriot, që u kthye në vendin e vet në kohë krize.

Millosheviçi ishte kokëfortë, ishte i sigurt se do i jepte fund UÇK-së dhe popullit të Kosovës. Serbia kishte arrestuar dhe vrarë intelektualë dhe ju thanë njerëzve që na jepni pasurinë dhe gratë e reja, ose ndryshe do ju vrasim. Millosheviçi e dinte se çfarë ndodhte në terren. Kur pamë se situata u bë e rëndë, ne ndërhymë dhe e bombarduam Serbinë”, tha Clark.

I pyetur nëse ndërhyrja në Kosovë u bë për të hëqur vëmendjen nga skandali, ku dyshohet se u përfshi ish-presidenti amerikan Bill Clinton, Clark nënvizoi se kjo nuk është aspak e vërtetë.

Ai shpjegoi se në atë kohë, ka pasur një gjenocid në Ruanda dhe se SHBA-të nuk mund të lejonin që diçka e tillë të ndodhte edhe në Kosovë.

“Është një deklaratë qesharake, kjo që ndërhyrja në Kosovë u bë për të hequr vëmendjen nga skandali i Bill Clinton. Në atë kohë, në Ruanda kishte spastrim etnik. Diku tek 800 mijë njerëz u masakruan në atë vend afrikan. Ne pamë aty gjenocid dhe thamë se masakrimi nuk mund të përsëritej. Më 1995 ne pamë spastrimin etnik serb në Bosnjë dhe NATO vendosi të ndërhyjë edhe në Bosnjë e Herzegovinë.

Aty negociuam fundin e Millosheviçit dhe ai u ul në tryezë, sepse e dinte se kishte përballë NATO-n. Aty u nda Bosnja, 51 përqind me 49 përqind. Kjo ishte marrëveshja atëherë, që është kritikuar nga boshnjakët. Rezultati nuk ishte i mirë, por lufta mbaroi. Më 1998 familja Jashari u eliminua dhe u bë një masakër e madhe. Presidenti maqedonas tha se aty do ketë luftë, kur u shpreh se shqiptarët do të marrin armët. Millosheviçi ishte i vendosur që të eliminonte të gjitha të drejtat e shqiptarëve, ndoshta donte të vendoste serbë në Kosovë, planet e tij, nuk e dimë se çfarë kishte në mendje fiks. Kjo urrejtje mes shqiptarëve dhe serbëve vazhdon akoma deri në një farë pike. Ne bëmë sa mundëm. Le të nisim të ndërtojmë një raport më të mirë në rajon”, deklaroi Clark.

Gjykata Speciale në Hagë, më 16 shtator i shpalli katër ish-krerët e UÇK-së fajtorë për katër akuza për krime lufte, ndërsa i liroi nga akuzat për krime kundër njerëzimit. Konkretisht, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, ndërsa Kadri Veseli me 18 dhe Rexhep Selimi me 13.

Tani beteja e katër ish-krerëve të UÇK-së për pafajësi pritet të zhvillohet në Apel. /tvklan.al

Read Previous

Mavraj: Pa UÇK-në s’do të bëheshim kurrë shtet