DHTIK: Marrëveshja me EFTA-n mundësi për rritjen e eksporteve

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DHTIK) ka mirëpritur hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë ndërmjet Kosovës dhe vendeve të EFTA-s – Zvicrës, Norvegjisë, Islandës dhe Lihtenshtajnit.

DHTIK vlerëson se marrëveshja paraqet mundësi për zgjerimin e tregjeve për bizneset kosovare, rritjen e eksporteve dhe tërheqjen e investimeve të huaja direkte.

Sipas DHTIK-ut, marrëveshja krijon një kornizë më të favorshme për zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike dhe përfshin tregtinë e mallrave dhe shërbimeve, lehtësimin e tregtisë, rregullat e origjinës dhe investimet.

DHTIK u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të ndërmarrin masa konkrete për t’u mundësuar bizneseve rritjen e kapaciteteve prodhuese, depërtimin në tregjet e reja dhe krijimin e partneriteteve me kompani nga vendet e EFTA-s.

Një vëmendje e veçantë, sipas DHTIK-ut, duhet t’i kushtohet tërheqjes së investimeve nga diaspora në këto vende.

“Diaspora jonë nuk duhet të shihet vetëm si burim i remitencave, por edhe si një urë lidhëse për kapital, investime, teknologji, njohuri dhe tregje të reja”, thuhet në reagimin e DHTIK-ut.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë ka bërë thirrje edhe për identifikimin e sektorëve me potencial eksportues, krijimin e kontakteve B2B me bizneset e vendeve të EFTA-s dhe rritjen e cilësisë e konkurrueshmërisë së produkteve dhe shërbimeve kosovare. /RTKlive

Read Previous

​Kurti pas takimit me Leyen: Kosova e meriton statusin e vendit kandidat, presim që Apeli në Hagë të bëjë korrigjim

Read Next

SHBA-ja paralajmëron Francën dhe Gjermaninë: Lironi rezervat e naftës ose rrezikoni ndalimin e eksporteve