DHTIK: Marrëveshja me EFTA-n mundësi për rritjen e eksporteve
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në konferencën e përbashkët me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka kërkuar mbështetjen e Bashkimit Evropian për avancimin e Kosovës drejt anëtarësimit, duke theksuar se vendi i plotëson kriteret për statusin e kandidatit dhe hapjen e negociatave.
Kurti e ka falënderuar von der Leyen për vizitat e saj në Kosovë dhe për mbështetjen që, sipas tij, i ka dhënë vendit dhe qytetarëve të tij.
Ai ka thënë se që nga takimi i tyre i parë, Kosova ka shënuar përparim të qëndrueshëm në fushën e demokracisë, sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut.
Sipas Kurtit, Kosova ka pasur një nga rritjet më të shpejta të treguesve demokratikë në rajon gjatë kësaj dekade.
Duke folur për sigurinë, ai ka theksuar se Kosova është ndër vendet më të sigurta në Evropë, duke përmendur se nëntë nga dhjetë qytetarë ndihen të sigurt të ecin vetëm gjatë natës. Sipas tij, përmirësimi më i madh në siguri dhe sundim të ligjit është shënuar në veri të vendit.
Kryeministri ka thënë se ekonomia e Kosovës vazhdon të rritet me rreth 4 për qind në vit, ndërsa borxhi publik mbetet ndër më të ulëtit në Evropë.
Ai ka përmendur edhe masat sociale të ndërmarra nga Qeveria, përfshirë shtesat për fëmijë dhe nëna, rritjen e pensioneve dhe pagës minimale, duke thënë se rritja ekonomike është ndarë me qytetarët.
Kurti ka ritheksuar se Kosova është plotësisht e harmonizuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian, përfshirë sanksionet ndaj Rusisë për agresionin kundër Ukrainës.
Sa i përket Planit të Rritjes, ai ka bërë me dije se Qeveria ka miratuar dhjetë nga 12 ligjet që kishin afat qershorin dhe i ka proceduar ato në Kuvend.
Ai ka shprehur bindjen se Kuvendi do të veprojë shpejt, në mënyrë që qytetarët e Kosovës të përfitojnë nga ky plan, duke paralajmëruar se vonesat parlamentare mund të rrezikojnë fondet evropiane të dedikuara për reformat.
Në takimin me von der Leyen, Kurti ka kërkuar edhe anëtarësimin e Kosovës në Konventën për Tranzitin e Përbashkët, si dhe integrimin në organizatat evropiane të standardizimit dhe në kornizën evropiane të akreditimit.
Sipas tij, këto hapa do të mundësonin qarkullimin më të shpejtë dhe me kosto më të ulët të mallrave ndërmjet Kosovës dhe BE-së, si dhe do të lehtësonin qasjen e bizneseve kosovare në tregun unik evropian.
Duke folur për procesin e integrimit evropian, Kurti ka thënë se në dhjetor bëhen katër vjet nga aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE. Ai ka kërkuar nga von der Leyen që të mbështesë dhënien e statusit të vendit kandidat për Kosovën dhe t’i bëjë thirrje Këshillit të BE-së që të kërkojë opinionin e Komisionit Evropian për aplikimin e saj.
Kurti: Drejtësia duhet të jetë e paanshme, presim korrigjimin e gabimeve në apel
Në konferencë, Kurti është ndalur edhe te aktgjykimi i fundit i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, duke theksuar tri çështje që, sipas tij, duhet të theksohen në arenën ndërkombëtare.
Ai ka deklaruar se pretendimet për të ashtuquajturën “Shtëpi e Verdhë” dhe trafikim organesh nuk janë pjesë e aktakuzës, se akuzat për krime kundër njerëzimit dhe sulme të gjera e sistematike ndaj popullsisë civile janë rrëzuar, si dhe se Dhomat e Specializuara kanë theksuar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk është në gjyq.
Në të njëjtën kohë, Kurti ka shprehur shqetësime për konkluzionet e tjera të aktgjykimit dhe dënimet e shqiptuara, për të cilat ka thënë se beson se përmbajnë gabime faktike, historike dhe juridike që duhet të korrigjohen në procedurën e apelit.
“Drejtësia duhet të jetë e paanshme dhe duhet të shihet e përjetohet si e paanshme”, ka thënë Kurti.
Ai ka theksuar se Kosova kërkon drejtësi për të gjitha viktimat e luftës, për çdo krim dhe për çdo kryerës, duke përmendur edhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. /RTKlive