Izrael–Kosovë: Vlera e ekipeve, lojtarët më të shtrenjtë, renditja në FIFA dhe forma në 10 ndeshjet e fundit

Izraeli dhe Kosova do të përballen sonte (e enjte) me fillim nga ora 20:45 në kuadër të Ligës B të Kombeve, në një duel të rëndësishëm për të dyja Kombëtaret, të cilat synojnë të rikthehen te rezultatet pozitive pas humbjeve në ndeshjet e fundit.

Në prag të kësaj përballjeje, një krahasim mes dy skuadrave nxjerr në pah disa të dhëna interesante, duke nisur nga vlera e përgjithshme në treg dhe futbollistët më të shtrenjtë, deri te renditja në FIFA dhe forma e fundit.

Kosova ka epërsi edhe sa i përket vlerës së përgjithshme të skuadrës, ndërsa qëndron më lart edhe në renditjen botërore të FIFA-s.

Izraeli – 110.83 milionë euro

Sipas të dhënave të faqes së specializuar Transfermarkt, skuadra e Izraelit ka një vlerë të përgjithshme prej 110.83 milionë eurosh.

Futbollisti më i vlefshëm i Izraelit është mbrojtësi i krahut Anan Khalaili, i cili vlerësohet në 23 milionë euro. Pas tij, në mesin e lojtarëve me vlerë të konsiderueshme është Roy Revivo, me 4.5 milionë euro.

Portieri Daniel Peretz vlerësohet në tetë milionë euro, ndërsa Nikita Stoinov ka vlerë prej 1.8 milion eurosh dhe Omri Glazer prej 1.5 milion eurosh.

Në repartin defensiv, Raz Shlomo vlerësohet në 800 mijë euro, ndërsa Assaf Tzur, Eli Dasa dhe Idan Nachmias kanë vlerë prej 700 mijë eurosh secili.

Izraeli me tri fitore në 10 ndeshjet e fundit

Forma e Izraelit në periudhën e fundit nuk ka qenë e mirë, me skuadrën që ka regjistruar tri fitore, dy barazime dhe pesë humbje në 10 ndeshjet e fundit.

Izraeli vjen në këtë përballje pas dy humbjeve në Ligën e Kombeve. Fillimisht u mposht 3-1 nga Austria, ndërsa më pas pësoi humbje 3-0 ndaj Irlandës.

Para nisjes së kësaj kampanje, Izraeli kishte fituar miqësoren ndaj Shqipërisë me rezultat 1-0, ndërsa kishte barazuar 2-2 me Gjeorgjinë.

Në kualifikimet për Kupën e Botës, Izraeli fitoi 4-1 ndaj Moldavisë, por pësoi humbje 3-0 ndaj Italisë, 5-0 ndaj Norvegjisë dhe 5-4 në një tjetër duel me Italinë.

Izraeli në vendin e 77-të në FIFA

Në ranglistën botërore të FIFA-s, Izraeli aktualisht pozicionohet në vendin e 77-të, vetëm një pozitë më poshtë se Kosova. Dardanët’ janë në pozitën e 76-të, duke bërë që diferenca mes dy ekipeve kombëtare në këtë aspekt të jetë shumë e vogël.

Megjithatë, kur krahasohen vlerat e skuadrave në treg, Kosova ka epërsi të konsiderueshme.

Kosova – 146.05 milionë euro

Sipas të dhënave të Transfermarkt, Kombëtarja e Kosovës aktualisht ka një vlerë të përgjithshme prej 146.05 milionë eurosh, rreth 35.22 milionë euro më shumë se Izraeli.

Lojtari më i vlefshëm i ‘Dardanëve’ është Fisnik Asllani, i cili vlerësohet në 35 milionë euro.

Pas tij renditet Leon Avdullahu, me vlerë prej 30 milionë eurosh, ndërsa Albian Hajdari vlerësohet në 25 milionë euro.

Në mesin e lojtarëve më të vlefshëm të Kosovës është edhe Edon Zhegrova, me 10 milionë euro, ndërsa portieri Arijanet Muric vlerësohet në 7.5 milionë euro.

Vedat Muriqi vlerësohet në shtatë milionë euro, ndërsa Veldin Hoxha dhe Dion Gallapeni kanë vlerë prej katër milionë eurosh secili.

Në listë pasojnë Milot Rashica, me 2.5 milionë euro, dhe Mërgim Vojvoda, po ashtu me 2.5 milionë euro.

Kosova me pesë fitore në 10 ndeshjet e fundit

Kosova ka regjistruar pesë fitore, dy barazime dhe tri humbje në 10 ndeshjet e fundit, duke pasur bilanc më pozitiv në këtë periudhë.

‘Dardanët’ e nisën kampanjën e Ligës së Kombeve me fitore 1-0 ndaj Irlandës, para se të pësonin humbje 3-1 nga Austria në Vjenë.

Kosova kishte fituar më herët edhe miqësoren ndaj Andorrës me rezultat 3-0, ndërsa ishte mposhtur 2-1 nga Republika Çeke.

Në ndeshjet zyrtare paraprake, ‘Dardanët’ kishin regjistruar fitore 4-3 ndaj Sllovakisë, ndërsa ishin mposhtur 1-0 nga Turqia.

Kosova kishte mbyllur kualifikimet për Kupën e Botës pa humbje në katër ndeshjet e fundit, duke barazuar 1-1 me Zvicrën, fituar 2-0 ndaj Sllovenisë dhe 1-0 ndaj Suedisë, si dhe barazuar 0-0 në Slloveni.

Kosova më e vlefshme, ka tejkaluar Izraelin edhe në renditjen e FIFA-s

Përveç faktit se Kosova ka një epërsi të dukshme në vlerën e skuadrës, ‘Dardanët’ gjithashtu janë të renditur një pozitë më lartë (76) sesa Izraeli (77).

Kosova vlerësohet në 146.05 milionë euro, kundrejt 110.83 milionë eurove të Izraelit, që paraqet një diferencë prej 35.22 milionë eurosh.

‘Dardanët’ kanë gjithashtu lojtarin më të shtrenjtë të kësaj përballjeje. Fisnik Asllani vlerësohet në 35 milionë euro, 12 milionë më shumë se futbollisti më i vlefshëm i Izraelit, Anan Khalaili.

Edhe forma e 10 ndeshjeve të fundit anon nga Kosova në aspektin statistikor, me pesë fitore kundrejt tri të Izraelit.

Megjithatë, këto të dhëna shërbejnë vetëm si pasqyrë statistikore para ndeshjes. Përgjigjen përfundimtare do ta japë fusha, në një përballje ku Kosova synon vetëm tri pikë dhe rikthimin tek fitoret. /Telegrafi/

Read Previous

Zgjedhja e presidentit, Kurti: Sot do të nisim komunikimet me opozitën

Read Next

Schuebel: Partitë duhet të bashkërendohen për presidentin