Mungesa të barnave, Bordi i SHSKUK-së kërkon masa

Bordi Drejtues i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK) ka kërkuar masa konkrete për përmirësimin e furnizimit me barna dhe materiale medicinale, si dhe adresimin e gjetjeve të evidentuara nga auditimi i brendshëm.

Kërkesa është bërë në mbledhjen e gjashtë të rregullt të Bordit Drejtues, ku janë shqyrtuar raportimi i Drejtorit të Përgjithshëm, Projekt-Rregullorja për Organizimin e Brendshëm të Administratës Qendrore, Draft-Statuti i QKUK-së dhe Raporti Final i Auditimit të Brendshëm për sistemin e menaxhimit të barnave dhe materialeve medicinale në SHSKUK/QKUK, për periudhën 2025 – korrik 2026.

Bordi ka vlerësuar se përmirësimi i organizimit institucional duhet të sigurojë kompetenca të qarta, përgjegjësi të përcaktuara dhe llogaridhënie në çdo nivel drejtues, me qëllim përmirësimin e shërbimeve shëndetësore dhe ofrimin e shërbimeve më të mira për pacientët. Pas diskutimeve, Bordi ka miratuar në parim Projekt-Rregulloren për Organizimin e Brendshëm të Administratës Qendrore, ndërsa versioni i harmonizuar me vërejtjet dhe rekomandimet do të paraqitet për miratim përfundimtar. Për Draft-Statutin e QKUK-së është dakorduar që propozimet për plotësim dhe ndryshim të paraqiten deri në mbledhjen e radhës.

Në kuadër të shqyrtimit të raportimit të Drejtorit të Përgjithshëm, Bordi ka kërkuar që në çdo mbledhje të paraqiten raporte për listat e pritjes, ecurinë e zbatimit të rekomandimeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe masat për përmirësimin e komunikimit ndërmjet profesionistëve shëndetësorë dhe pacientëve.

Vëmendje e veçantë i është kushtuar Raportit Final të Njësisë së Auditimit të Brendshëm për “Sistemin e menaxhimit të barnave dhe materialeve medicinale në SHSKUK/QKUK”. Sipas gjetjeve të auditimit, janë evidentuar mangësi në planifikimin, furnizimin, menaxhimin dhe monitorimin e barnave dhe materialeve medicinale. Ndër çështjet e evidentuara janë planifikimi pa mbulim të qartë financiar, mospërputhjet ndërmjet planifikimit dhe hyrjeve, inicimi i kontratave pa u bazuar në gjendjen reale të stokut, si dhe mangësitë në gjurmueshmërinë dhe mbikëqyrjen e procesit të furnizimit.

Auditimi ka evidentuar gjithashtu mungesa që kanë ndikuar në ofrimin e shërbimeve klinike, përfshirë mungesa të theksuara të penjve kirurgjikalë dhe barnave të caktuara. Sipas raportit, në disa raste pacientët janë detyruar t’i sigurojnë vetë barnat apo materialet medicinale, ndërsa kostoja e tyre nuk është matur në mënyrë të plotë.

Bazuar në këto gjetje, Bordi Drejtues ka kërkuar që Drejtori i Përgjithshëm t’ia përcjellë organit kompetent disiplinor rastet e evidentuara nga auditimi për të cilat ekziston dyshimi për shkelje të detyrave të punës, në përputhje me rregulloren në fuqi. Referimi duhet të bëhet në mënyrë individuale dhe të dokumentuar, duke specifikuar për secilin rast personin dhe detyrën konkrete, veprimin ose mosveprimin e pretenduar, periudhën përkatëse, dokumentet mbështetëse dhe pasojën e konstatuar.

Si raste me prioritet janë përcaktuar çështjet që lidhen me stokun zero dhe vonesat në inicimin e furnizimit, mungesat e zgjatura të penjve kirurgjikalë, dokumentacionin e pagjetur lidhur me kërkesën e datës 28 prill 2025, si dhe devijimet në planifikimin dhe përcjelljen e barnave për terapi të vazhdueshme.

Bordi ka theksuar se referimi për shqyrtim disiplinor nuk përbën konstatim paraprak të fajësisë apo përgjegjësisë individuale. Përgjegjësia eventuale individuale do të përcaktohet nga organi kompetent pas shqyrtimit të provave, dokumentacionit dhe deklarimeve të personave përkatës.

Drejtori i Përgjithshëm është obliguar që brenda 15 ditëve t’i raportojë Bordit Drejtues për rastet e referuara, si dhe për masat e menjëhershme të ndërmarra për sigurimin e furnizimit me barna dhe materiale medicinale. Në të njëjtën kohë, menaxhmenti është ngarkuar që të paraqesë planin për zbatimin e të nëntë rekomandimeve të auditimit, me masa konkrete për përmirësimin e planifikimit, menaxhimit të stokut, furnizimit, gjurmueshmërisë dhe monitorimit të barnave dhe materialeve medicinale.

Bordi Drejtues ka kërkuar që gjetjet e auditimit të shoqërohen me veprime konkrete institucionale, afate dhe përgjegjësi të qarta, ndërsa çdo çështje që lidhet me përgjegjësinë individuale të trajtohet në procedurë të rregullt dhe mbi bazën e provave. Bordi ka bërë të ditur se do të monitorojë zbatimin e vendimit dhe realizimin e rekomandimeve të auditimit, me prioritet sigurimin e furnizimit të qëndrueshëm me barna dhe materiale medicinale dhe mbrojtjen e interesit të pacientëve. /RTKlive

Read Previous

Policia e Kosovës: 60 aksidente dhe 2,521 gjoba trafiku të shqiptuara për 24 orë

Read Next

PDK largohet nga Komisioni për AKI-në, kërkon urgjentisht Ligjin për Specialen