Haxhiu: Shëndeti i gruas meriton më shumë vëmendje në familje dhe institucione
Cristiano Ronaldo duket se e ka mbyllur me Portugalinë këtë grumbullim, ndërsa largimi i tij i papritur nga kombëtarja po merr përmasa gjithnjë e më të mëdha.
Pas tensioneve me trajnerin Jorge Jesus, Ronaldo u largua nga kampi i Portugalisë në Kopenhagë dhe udhëtoi drejt Madridit me avionin e tij privat. Ai u pa duke mbërritur në aeroport me një automjet të stafit të federatës, ende i veshur me veshjen e kombëtares.
Por, para nisjes, pati edhe një përpjekje të fundit për ta ndalur 41-vjeçarin.
Sipas raportimeve të mediave, trajneri Jorge Jesus dhe presidenti i Federatës Portugeze të Futbollit, Pedro Proença, shkuan në aeroportin e Kopenhagës për të biseduar me Ronaldon dhe për ta bindur të qëndronte me skuadrën. Pavarësisht kësaj përpjekjeje, Ronaldo nuk ndryshoi vendim dhe u nis drejt Madridit.
Kriza shpërtheu pas konferencës së Jesusit, ku trajneri konfirmoi se Gonçalo Ramos do të niste nga minuta e parë ndaj Danimarkës. Ronaldo, i cili kishte mbetur në stol në ndeshjen ndaj Norvegjisë, u largua më pas nga grumbullimi.
Vetë Ronaldo konfirmoi largimin përmes një deklarate në rrjetet sociale, duke thënë se pas konferencës së trajnerit dhe një bisede me Proençën kishte vendosur të largohej nga grumbullimi. Ai shtoi se “në kohën e duhur” do t’u tregojë portugezëve arsyet që e shtynë të merrte këtë vendim.
Tani në Portugali po shtohen zërat se kjo mund të jetë fundi i aventurës së Ronaldos me kombëtaren. Megjithatë, vetë lojtari nuk ka njoftuar zyrtarisht pensionimin nga kombëtarja, ndaj për momentin bëhet fjalë për raportime dhe interpretime rreth të ardhmes së tij ndërkombëtare. /KosovaPress/