BE-ja planifikon qasje graduale në tregun e përbashkët për vendet kandidate

Bashkimi Evropian po përgatitet t’u ofrojë vendeve kandidate qasje graduale në tregun e përbashkët dhe në programet kërkimore të BE-së përpara anëtarësimit të plotë, thuhet në një propozimi të hartuar nga Komisioni Evropian, të siguruar nga “Politico”, transmeton Anadolu.

Propozimi parashikon “integrim gradual” të vendeve kandidate në tregun e përbashkët të BE-së, përfshirë lidhje më të ngushta tregtare dhe pjesëmarrje në programet për kërkim, inovacion dhe industri ndërsa ato punojnë drejt anëtarësimit të plotë, raportoi sot “Politico”.

“Tregu i përbashkët është përparësia e parë për konvergjencën ekonomike”, thuhet në draftin e rishikimit, duke shtuar se integrimi më i hershëm mund të forcojë zinxhirët evropianë të vlerës dhe të zvogëlojë varësitë strategjike.

Dokumenti propozon pjesëmarrje më të thellë në rastet kur vendet kandidate dëshmojnë përafrim rregullator dhe kapacitet të mjaftueshëm për zbatimin e rregullave, veçanërisht në fushat që mbështesin përgatitjet për anëtarësimin në BE dhe u shërbejnë interesave të përbashkëta ekonomike dhe strategjike.

Sipas kornizës së propozuar, vendet do të pritej gjithashtu që të përafroheshin më ngushtë me politikat e jashtme dhe të sigurisë të BE-së. Qasja mund të kufizohet ose të tërhiqet nëse vendet nuk i përmbushin kushtet e kërkuara, përfshirë reformat demokratike dhe përafrimin me interesat strategjike të bllokut.

Komisioni Evropian po shqyrton gjithashtu përdorimin më të gjerë të votimit me shumicë të cilësuar në fusha që aktualisht i nënshtrohen parimit të unanimitetit. Drafti thotë se rreziku i vonesave ose bllokimeve mund të rritet me zgjerimin e anëtarësimit në BE.

Ai i referohet gjithashtu të ashtuquajturave “klauzola passerelle”, të cilat mund të mundësojnë kalimin e disa vendimeve nga unanimiteti në votim me shumicë, pa ndryshuar zyrtarisht traktatet e BE-së. Mekanizma të tillë mund të përdoren potencialisht në fusha që përfshijnë sanksionet, reagimet ndaj krizave të të drejtave të njeriut dhe vendosjen e misioneve civile.

Megjithatë, aktivizimi i vetë këtyre klauzolave kërkon miratimin unanim të shteteve anëtare të BE-së. Udhëheqësit e BE-së pritet të diskutojnë zgjerimin dhe të ardhmen e rregullimeve institucionale të bllokut në një samit në Bruksel më 15-16 tetor. /Anadolu Agency/

Read Previous

Ambasadori i SHBA-së në BE: Prioriteti i bllokut për armë evropiane mund të copëtojë bazën e mbrojtjes transatlantike

Read Next

Faza e Apelit për ish-krerët e UÇK-së, Michele Picard caktohet kryetare e trupit gjykues