Kosova U21 përballet sonte me Qipron, synohet fitorja e dytë radhazi
Qeveria e Kosovës ka miratuar sërish Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit.
Në mbledhjen e Qeverisë, kryeministri Albin Kurti tha se ndryshimet e propozuara kanë për qëllim përafrimin e mëtejshëm të legjislacionit vendor me standardet ndërkombëtare dhe ato të Bashkimit Evropian.
“Projektligj synon harmonizimin e mëtejmë të legjislacionit të Kosovës për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit me standardet e FATF-së (Financial Action Task Force) dhe të Bashkimit Evropian. Përmes tij forcohen masat parandaluese, transparenca, kompetencat institucionale dhe bashkëpunimi ndërkombëtar. Ndryshimet gjithashtu adresojnë kërkesat për avancimin e procesit të Bankës Qendrore të Kosovës drejt anëtarësimit në SEPA (Single Euro Payments Area) dhe mbështesin procesin e integrimit evropian”, tha Kurti.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, e cilësoi miratimin e këtij projektligji si hapin e fundit ligjor që i nevojitet Kosovës për përmbushjen e kritereve për anëtarësim në SEPA.
“Siç e përmendi edhe kryeministri, pra bëhet fjalë për ligjin apo pikën e fundit, kushtin e fundit i cili duhet të kalohet, pra të miratohet nga Kuvendi, në mënyrë që ne t’i plotësojmë të gjitha kushtet sa i përket anëtarësimit tonë në SEPA. Pra, anëtarësim i cili do të mundësojë uljen e tarifave për transferat ndërkombëtare, pra edhe kursime dhjetëramilionëshe apo, më saktë, 58 milionë euro në vit tarifa bankare për transferat ndërkombëtare që paguajnë bizneset tona, por edhe bashkatdhetarët tanë pra për të transferuar remitancat në Kosovë”, tha Murati.
Sipas tij, projektligji është duke u proceduar për herë të tretë në Qeveri. Dy tentativat e mëparshme nuk kanë përfunduar me hyrjen e tij në fuqi.
“Siç edhe ju e dini, është hera e tretë pra që po procedohet ky ligj në mbledhje të Qeverisë. Dy herë të kaluara pra ishte proceduar në Kuvend. Herën e parë kishte kaluar në Kuvend, por që Gjykata Kushtetuese e kishte rrëzuar për shkaqe procedurale, pra në miratimin e seancës në fund të vitit 2024 që është bërë. Herën e dytë ishte pra këtë vit, pra në mandatin e kaluar të Kuvendit, në legjislaturën e kaluar, arriti të kalojë në leximin e parë, mirëpo leximi i dytë nuk arriti të përmbushet meqenëse Kuvendi u shpërnda”, tha ministri.
Murati tha se tashmë projektligji i është dërguar sërish procesit parlamentar, duke shprehur pritjen që Kuvendi ta miratojë atë.
“Pra, kjo është hera e tretë dhe po e procedojmë edhe një herë, dhe nuk do t’i shkoja më gjatë meqenëse të gjithë e dini, pra jeni të njoftuar me projektligjin. Dhe nuk po marr më shumë kohë meqenëse ka edhe pika të tjera, prandaj ju ftoj për miratim dhe shpresoj që kësaj radhe Kuvendi të kryejë punën e vet dhe ta miratojë këtë ligj në mënyrë që t’u mundësohet qytetarëve të kursejnë në tarifat për transferat ndërkombëtare”, tha Murati.
Miratimi i projektligjit nga Kuvendi pritet të jetë hapi i radhës në procesin që lidhet me plotësimin e kërkesave për anëtarësimin e Kosovës në SEPA.
Qeveria miraton marrëveshjet IPA, mbi 270 milionë euro financim për Kosovën
Qeveria e Kosovës ka miratuar projektligjet për ratifikimin e marrëveshjeve financiare me Bashkimin Evropian për programet IPA 2021, IPA 2022 dhe Programin Shumëvjeçar IPA 2026-2027.
Në mbledhjen e Qeverisë është miratuar edhe Projektligji për ratifikimin e Amendamentit Nr. 1 të Marrëveshjes Financiare mes Kosovës dhe BE-së për Programin IPA 2021.
Kryeministri Albin Kurti tha se ndryshimi i marrëveshjes mundëson vazhdimin e procedurave për kontraktimin dhe shfrytëzimin e 22.2 milionë eurove.
“Amandamenti i marrëveshjes financiare për programin IPA 2021 krijon kushte më të përshtatshme për realizimin e projekteve të financuara nga Bashkimi Evropian. Zgjatja e periudhës së zbatimit e mundëson vijimin e procedurave për kontraktimin dhe shfrytëzimin e fondeve në vlerë prej 22.2 milionë eurosh. Me ratifikimin e këtij amandamenti krijojmë bazën e nevojshme që kjo mbështetje financiare të shfrytëzohet për qëllimet e përcaktuara dhe të sjellë përfitime konkrete për qytetarët”, tha Kurti.
Në të njëjtën mbledhje u miratua edhe Projektligji për ratifikimin e Amendamentit Nr. 1 të Marrëveshjes Financiare mes Kosovës dhe BE-së për Programin IPA 2022.
Sipas Kurtit, amendamenti krijon mundësi për kontraktimin dhe shfrytëzimin e 55.7 milionë eurove të mbështetjes financiare të BE-së.
“Me amandamentin për programin IPA 2022 krijojmë kushtet për kontraktimin dhe shfrytëzimin e fondeve në vlerë prej 55.7 milionë eurosh të mbështetjes së Bashkimit Evropian. Zgjatja e afateve u mundëson institucioneve të përmbushin procedurat e nevojshme dhe të vijojnë me realizimin e projekteve të planifikuara, me synim që të njëjtat të shfrytëzohen plotësisht dhe të kthehen në investime që u shërbejnë nevojave të vendit dhe qytetarëve”, tha Kurti.
Qeveria miratoi gjithashtu Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes Financiare mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Programin Shumëvjeçar IPA 2026-2027.
Ky program parasheh projekte me vlerë të përgjithshme prej 193 milionë e 856 mijë eurosh.
“Programi shumëvjeçar IPA 2026-2027 mbështet realizimin e projekteve në vlerë të përgjithshme prej 193 milionë e 856 mijë eurosh. Kjo paketë përfshin rreth 180.5 milionë euro nga Bashkimi Evropian, 9 milionë euro bashkëfinancim nga qeveria, 1.8 milion euro nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë dhe 2.5 milionë euro nga partnerët e tjerë zhvillimorë. Ratifikimi i marrëveshjes financiare i hap rrugë fillimit të zbatimit të programit. Institucionet përgjegjëse duhet të përqendrohen në përgatitjen dhe realizimin e projekteve që ky financim të shfrytëzohet plotësisht sipas prioriteteve të përcaktuara”, tha Kurti. /RTKlive