Pentagoni: Ushtria amerikane përfundon tërheqjen nga Iraku

Ushtria amerikane ka përfunduar tërheqjen e saj nga Iraku, njoftoi sot Pentagoni, duke i dhënë fund një pranie ushtarake amerikane në këtë vend që zgjati më shumë se dy dekada.

”Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre të koalicionit e kanë përfunduar zyrtarisht operacionin ‘Inherent resolve’ në Irak, pas një fushate 12-vjeçare kundër grupit terrorist Shteti Islamik”, bëri të ditur Pentagoni.

”Largimi i forcave dhe pajisjeve të fundit të koalicionit nga baza ajrore e Erbilit shënoi përfundimin e suksesshëm të misionit ushtarak”, shtoi ai.

Pentagoni deklaroi se përgjegjësia për përballimin e kërcënimeve të mbetura të sigurisë, përfshirë celulat e Shtetit Islamik, tani u takon kryesisht forcave irakiane, ndonëse Uashingtoni do të vazhdojë të ofrojë trajnime të synuara dhe mbështetje me informacione të inteligjencës.

Më herët, këshilltari irakian për sigurinë kombëtare, Qasim al-Araji, e përshëndeti përfundimin e misionit të koalicionit të udhëhequr nga SHBA-ja si një “moment historik të rëndësishëm”.

SHBA-ja pushtoi Irakun së bashku me aleatët e saj në vitin 2003, duke rrëzuar nga pushtimi udhëheqësin jetëgjatë Saddam Hussein.

Forcat amerikane u tërhoqën në vitin 2011, por u kthyen në vitin 2014 me kërkesë të qeverisë irakiane, pasi Shteti Islamik mori nën kontroll zona të gjera të Irakut dhe Sirisë fqinje.

Shteti Islamik u shpall i mundur ushtarakisht në Irak në vitin 2017, edhe pse celulat e tij mbeten ende aktive. /ATSH-DPA/ –

Read Previous

Hoxhaj për Thaçin: Partner i Perëndimit në Rambuje dhe më 2008, sot qëndron në burg me thashetheme

Read Next

Kurti: Aktgjykimi i Speciales i padrejtë, do të bëjmë të pamundurën për korrigjim