BIA arreston dy persona, pretendon se spiunonin për SHISH-in, AKI-në dhe Policinë e Kosovës

BIA ka arrestuar dy persona në një aksion të zhvilluar sot në Vranjë dhe Jagodinë, të dyshuar për veprën penale “Spiunazh”.

Sipas raportimit të mediave serbe, në Vranjë është arrestuar D.C. (46), nga Shillova e Komunës së Gjilanit, ndërsa në Jagodinë është arrestuar N.P. (50), nga Jagodina.

Aksioni është zhvilluar në bashkëpunim mes Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA), Prokurorisë së Lartë Publike në Jagodinë dhe drejtorive policore në Vranjë e Jagodinë.

Sipas pretendimeve të autoriteteve serbe, dy të arrestuarat dyshohet se u kanë përcjellë të dhëna Shërbimit të Inteligjencës dhe Sigurisë së Shqipërisë (SHISH), degës së tij në Kosovë, Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës dhe Njësisë së Inteligjencës së Policisë së Kosovës.

Të dhënat, sipas raportimeve, kanë të bëjnë me pjesëtarë aktivë të BIA-s dhe angazhimin e tyre.

Në rastin e N.P., e cila ka vendbanim të regjistruar në Jagodinë, është kryer edhe bastisja e banesës së saj, në bazë të urdhrit të gjykatës.

“Meqë N.P. ka vendbanim të regjistruar në Jagodinë, në bazë të urdhrit përkatës të gjykatës është kryer bastisja e objektit të saj. Gjatë kontrollit janë sekuestruar disa sende dhe pajisje elektronike, për të cilat ekziston dyshimi se mund të jenë të lidhura me kryerjen e veprës penale”, raportojnë mediat serbe.

/GazetaSinjali/

Read Previous

Rrëzohet bombarduesi strategjik rus Tu-95 gjatë fluturimit stërvitor, vdesin gjashtë anëtarë të ekuipazhit