Një bombardues strategjik rus Tupolev Tu-95 është rrëzuar gjatë një fluturimi stërvitor në rajonin Amur, në Lindjen e Largët të Rusisë, duke shkaktuar vdekjen e gjashtë anëtarëve të ekuipazhit dhe plagosjen e një tjetri.
Lajmi është bërë i ditur nga Ministria ruse e Mbrojtjes, e cituar nga agjencia shtetërore TASS.
Sipas autoriteteve ruse, avioni po kryente një fluturim stërvitor dhe nuk kishte armatim në bord. Bombarduesi është rrëzuar në një zonë të pabanuar.
Tu-95MS është një nga bombarduesit strategjikë të Rusisë dhe është i aftë të mbajë armë bërthamore. Avionët e këtij lloji janë përdorur edhe për lëshimin e raketave të lundrimit gjatë sulmeve ruse ndaj Ukrainës.
Autoritetet ruse kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e rrëzimit të avionit.