Kushtetuesja: Afati për zgjedhjen e Presidentit përfundon më 6 tetor

Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se afati 60-ditor për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës ka filluar më 8 gusht dhe përfundon më 6 tetor 2026. Ndërkohë, vendimi i Kuvendit i 13 shtatorit për zgjedhjen e Qeverisë nuk është në kundërshtim me nenin 95 të Kushtetutës.

Këto përfundime janë nxjerrë në rastet e bashkuara KO256/26 dhe KO258/26, të iniciuara nga deputeti Arian Tahiri dhe deputetë të tjerë të PDK-së, të cilët kontestuan procedurën e konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhjen e Qeverisë.

Sipas aktgjykimit, Gjykata ka vendosur njëzëri më 23 shtator, duke konstatuar se Kuvendi është konstituuar pas kalimit të afatit kushtetues prej 30 ditësh.

Megjithatë, tejkalimi i këtij afati ka pasoja për rrjedhjen e afateve të tjera kushtetuese. Gjykata ka përcaktuar se, pas kalimit të tij, fillojnë afatet për zgjedhjen e Presidentit, kur posti është vakant, dhe për zgjedhjen e Qeverisë.

“Afati gjashtëdhjetë (60) ditor për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës […] ka filluar më 8 gusht 2026 dhe përfundon më 6 tetor 2026”, thuhet në përfundimet e Gjykatës.

Kushtetuesja ka kërkuar gjithashtu që deputetët ta zgjedhin sa më parë nënkryetarin e Kuvendit nga grupi i dytë më i madh parlamentar, pozitë që i takon PDK-së.

Kandidatja e kësaj partie, Vlora Çitaku, nuk kishte marrë votat e nevojshme më 11 shtator. Më pas, PDK-ja kishte njoftuar tërheqjen e përkohshme të kandidaturës deri në vendimin e Kushtetueses. Më 13 shtator, pas zgjedhjes së nënkryetarëve të tjerë, kryetarja Albulena Haxhiu e kishte shpallur Kuvendin të konstituuar. Po atë ditë ishte zgjedhur edhe Qeveria.

Deputetët e PDK-së pretendonin se Kuvendi nuk e kishte përfunduar konstituimin në pajtim me Kushtetutën dhe, rrjedhimisht, nuk mund ta ushtronte kompetencën për zgjedhjen e Qeverisë.

Gjykata ka konstatuar se vendimi për zgjedhjen e Qeverisë nuk bie ndesh me nenin 95 të Kushtetutës dhe ka refuzuar kërkesën për masë të përkohshme, përmes së cilës kërkohej edhe pezullimi i rrjedhjes dhe zhvillimit të procedurës për zgjedhjen e Presidentit.

Sipas tekstit të aktgjykimit, vendimi hyn në fuqi në ditën e publikimit nga Gjykata Kushtetuese.

/GazetaSinjali/

Read Previous

Katari ndërmjetëson mes SHBA-së dhe Iranit: Po punojmë për një zgjidhje paqësore

Read Next

Rrëzohet bombarduesi strategjik rus Tu-95 gjatë fluturimit stërvitor, vdesin gjashtë anëtarë të ekuipazhit