Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Anjed Al-Ansari, ka bërë të ditur se Doha po vazhdon përpjekjet ndërmjetësuese dhe përcjelljen e mesazheve mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, me qëllim “ndërtimin e një gjuhe të përbashkët që afron pikëpamjet dhe çon drejt një zgjidhjeje paqësore”.
Al-Ansari theksoi se Katari po punon intensivisht për “de-përshkallëzimin dhe rivendosjen e lirisë së plotë të lundrimit përmes Ngushticës së Hormuzit”.
“Katari dënon shënjestrimin e infrastrukturës, objekteve energjetike dhe anijeve, pasi kjo kërcënon interesat e popujve dhe shkel parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe fqinjësisë së mirë”, u shpreh Al-Ansari.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit paralajmëroi gjithashtu se vazhdimi i krizës dhe paqëndrueshmëria në rajon kanë ndikim të drejtpërdrejtë në furnizimet me energji, ushqim dhe mallra industriale.
Sipas tij, këto zhvillime po shtojnë presionin mbi ekonominë globale.