SHBA-ja rikonfirmon mbështetjen për KFOR-in: Do të ndihmojmë në ruajtjen e stabilitetit në Kosovë dhe rajon

E ngarkuara me punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Anu Prattipati, është takuar me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajorin Ozkan Ulutash, i cili pritet ta përfundojë mandatin në krye të misionit muajin e ardhshëm.

Takimi është zhvilluar dje ndërsa sipas Ambasadës amerikane në Prishtinë, gjatë bisedës është diskutuar për rolin e KFOR-it në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë.

Prattipati e ka falënderuar Ulutashin për udhëheqjen e misionit të NATO-s dhe për angazhimin e tij në krijimin e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjitha komunitetet në Kosovë.

“E ngarkuara me punë Anu Prattipati u takua dje me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajorin Ozkan Ulutash, ndërsa ai përgatitet të përfundojë mandatin e tij muajin e ardhshëm”, thuhet në njoftimin e Ambasadës amerikane.

Në njoftim, SHBA-ja ka rikonfirmuar edhe mbështetjen e saj për misionin e KFOR-it, duke theksuar rëndësinë e tij për stabilitetin në Kosovë dhe rajon.

“SHBA-ja mbetet e përkushtuar për të mbështetur misionin e KFOR-it, duke ndihmuar në ruajtjen e stabilitetit në Kosovë dhe në rajon”, thuhet në deklaratën e Ambasadës.

Ulutash është komandant i KFOR-it që nga tetori i vitit 2023 dhe pritet që muajin e ardhshëm t’ia dorëzojë detyrën pasardhësit të tij.

Read Previous

Për herë të parë në Kosovë, nis heqja e një dige për rikthimin e rrjedhës së lirë të lumit

Read Next

Dogana konfiskon 876 kg duhan dhe 118 mijë cigare të dyshuara për kontrabandë në Prizren