Kallas thotë se BE-ja do të dalë me plan urgjent ndaj kërcënimeve nga Rusia

Shefja e politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka deklaruar të hënën se blloku do të propozojë një protokoll urgjence për t’iu përgjigjur kërcënimeve të sigurisë dhe atyre hibride nga Rusia.

Kallas ka thënë se informacionet e inteligjencës tregojnë se Rusia po planifikon akte të mëtejshme sabotimi dhe sulme që synojnë demokracitë evropiane. Ajo ka theksuar se qëllimi është përçarja e shoqërive dhe frikësimi i vendeve evropiane për t’i shtyrë ato të reduktojnë mbështetjen për Ukrainën.

“Duhet ta kemi parasysh këtë për t’u bërë ballë këtyre kërcënimeve. Gjithashtu, kur kemi informacione inteligjence, duhet të jemi në gjendje të reagojmë para se këto sulme të ndodhin realisht”, u ka thënë ajo gazetarëve në Bruksel.

Kallas ka shtuar gjithashtu se BE-së i duhen anije shtesë detare, të afta për të shoqëruar anijet përmes ngushticës Bab el-Mandeb. Ajo ka thënë se një numër anijesh i janë ofruar një “koalicioni të të vullnetshmëve” të veçantë, por se ky koalicion nuk është ende operacional.

Kallas ka thënë po ashtu se BE-ja mund të shqyrtojë mundësinë e dislokimit të disa prej atyre anijeve në kuadër të “Operacionit Aspides” – misionit detar ekzistues të bllokut në Detin e Kuq, derisa koalicioni i veçantë të bëhet operacional.

Ministrat e Jashtëm dhe të Mbrojtjes të BE-së po takohen të hënën në Bruksel për bisedime të përbashkëta mbi mbështetjen ushtarake për Ukrainën, kërcënimet hibride dhe situatën e sigurisë në Lindjen e Mesme.

Read Previous

Mbi 14 mijë nënshkrime për largimin e emrit “Uroševac” nga përdorimi zyrtar

Read Next

Britania po heton një lidhje të mundshme me Iranin pas arrestimeve pranë bazës amerikane