Bashkim Fazliu – Migjeni, iniciator i peticionit për largimin e emrit “Uroševac” nga përdorimi zyrtar, ka dorëzuar në Kuvendin e Kosovës nismën e mbështetur me 14 mijë e 140 nënshkrime të qytetarëve të Ferizajt.
Peticioni është dorëzuar në Ditën e Dëshmorëve të Ferizajt, ndërsa nisma ishte iniciuar më 18 korrik, me synimin që “Ferizaj” të jetë emërtimi i vetëm zyrtar i qytetit.
Gjatë dorëzimit, Fazliu dhe përfaqësues të nismës kanë kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që ta shqyrtojë peticionin dhe të marrë vendim për largimin e emrit “Uroševac” nga përdorimi zyrtar.
“Janë mbledhur 14 mijë e 140 nënshkrime të qytetarëve të Ferizajt. Nuk besojmë se do të hasim në vesh të shurdhër, pasi kemi mbështetje nga i gjithë spektri politik në Ferizaj dhe nga komunitetet joshumicë”, është thënë gjatë dorëzimit të peticionit.
Organizatorët kanë deklaruar se iniciativa ka marrë mbështetje nga subjektet politike në Ferizaj dhe komunitetet joshumicë.
Ata kanë thënë se emri “Uroševac” përbën, sipas tyre, një “relikt të pushtuesit serb”, duke e cilësuar këtë nismë si hapin e parë për iniciativa të ngjashme në pjesë të tjera të Kosovës.
Peticioni tashmë i është dorëzuar Kuvendit të Kosovës, ku pritet të shqyrtohet në përputhje me procedurat për trajtimin e peticioneve.