Paraqiten katër kërkesa në protestën e organizuar nga OVL-UÇK
Në përmbyllje të protestës së organizuar nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, ku morën pjesë mijëra qytetarë, organizatorët kanë paraqitur katër kërkesa për institucionet e vendit, për të cilat e kanë kërkuar mbështetjen e protestuesve përmes brohoritjeve.
Kërkesa e parë ishte shfuqizimi ose ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Si kërkesë të dytë, organizatorët kërkuan nga kryeministri Albin Kurti shkarkimin e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla.
Kërkesa e tretë ishte mbështetje e pakufizuar dhe fonde të mjaftueshme për mbrojtjen e krerëve të UÇK-së.
Ndërsa kërkesa e katërt ishte angazhimi i ekspertëve më të mirë ndërkombëtarë në mbrojtjen e krerëve të UÇK-së.
Organizatorët thanë se këto kërkesa synojnë të shprehin qëndrimin e tyre pas vendimit të Dhomave të Specializuara ndaj katër ish-udhëheqësve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.
“UÇK-ja jemi ne, UÇK-ja është shteti i Kosovës dhe ne nuk do të lejojmë të na merrni atë që e kemi fituar me gjak”, u tha në fund të protestës, teksa qytetarëve të mbledhur iu kërkua që shpërndahen të qetë. /RTK