Gjykata Speciale ka konstatuar se nuk ka pasur krime kundër njerëzimit dhe krime lufte nga katër udhëheqësit e UÇK-së.
Kryetari i trupit gjykues në Dhomat e Specializuara në Hagë, Charles Smith, tha se ZPS-ja s’ka arritur të provonte se ishin kryer krime kundër njerëzimit.
“Lidhur me ekzistencën e një sulmi të përhapur, gjegjësisht ose sistematik kundër një popullate civile si kusht për krime kundër njerëzimit, trupi gjykues konstatoi se ZPS-ja nuk arriti të vërtetojë jashtë dyshimit të arsyeshëm se ishte kryer një sulm i përhapur, gjegjësisht ose sistematik kundër një popullate civile. Në këtë pikë, trupi gjykues konstatoi se midis prillit 1998 dhe gushtit 1999 anëtarët e UÇK-së kryen akte dhune dhe keqtrajtimi ndaj civilëve anë e mbanë Kosovës dhe disa zona të Shqipërisë së veriut të kontrolluara nga UÇK-ja, ndër to edhe aktet e përmendura në nenin 13 të ligjit. Trupi gjykues konstatoi se këto akte përmbanin sulm të përhapur, gjegjësisht dhe sistematik. Por trupi gjykues konstatoi se ZPS-ja nuk arriti të vërtetonte jashtë dyshimit të arsyeshëm se ky sulm është drejtuar kundër një popullate civile. Trupi gjykues konstatoi se, ndonëse ekzistonte një politikë ose plan për shënjestrimin e personave që konsideroheshin kundërshtarë, viktimat u zgjodhën vetëm në faktorin individual e jo në një popullatë civile të shënjestruar. Rrjedhimisht, trupi gjykues nuk është bindur se personat e shënjestruar mund të shënjestrësohen si popullatë civile. Trupi gjykues konstatoi se ZPS-ja nuk arriti të provonte se ishin kryer krime kundër njerëzimit, si përndjekja, burgosja, veprimet e tjera çnjerëzore dhe zhdukja me forcë.”
Ai theksoi edhe për rënien e akuzës për krime lufte.
“Incidentet mbi të cilat bazohen akuzat për krime lufte, të cilat filluan pas 20 qershorit të vitit 1999, pas përfundimit të konfliktit të armatosur, nuk mund të cilësohen si krime lufte. Rrjedhimisht, trupi gjykues konstatoi se nuk përmbushen kriteret e përgjithshme në lidhje me këto krime”, tha ai. /KosovaPress/