Macron: BE-ja duhet të marrë përsipër udhëheqjen politike në politikën hapësinore
Vdekjet që lidhen me temperaturat e larta janë rritur në 98,7% në qytetet evropiane krahasuar me shekullin e kaluar, ndërsa qytetet po përballen gjithnjë e më shumë me pasojat e ndryshimeve klimatike, sipas një studimi të fundit “Raporti i Qyteteve të Evropës 2026”, të publikuar në revistën shkencore “The Lancet”.
“Qytetet e Evropës Jugore janë ndër më të prekurat”, thuhet në raport.
Në qytetet e Evropës Jugore janë regjistruar 132 vdekje shtesë nga temperaturat e larta për çdo 1 milion banorë gjatë periudhës 2015–2024.
Kjo përfaqëson një rritje prej 161% krahasuar me periudhën 1991–2000.
Në qytetet e Evropës Perëndimore, rritja mesatare ishte 64 vdekje shtesë për 1 milion banorë, ndërsa mesatarja për të gjithë Evropën ishte 82.
Studiuesit theksojnë se qytetet kanë një rol të rëndësishëm në luftën ndaj ndryshimeve klimatike, përmes masave që zvogëlojnë ndotjen dhe pasojat e ngrohjes, duke i bërë qytetet më të sigurta dhe më të shëndetshme.
Rritet ekspozimi ndaj tymit të zjarreve
Studimi tregon gjithashtu se banorët e qyteteve evropiane po ekspozohen gjithnjë e më shumë ndaj tymit toksik nga zjarret në pyje.
Numri i ditëve kur njerëzit janë të ekspozuar ndaj këtij tymi u rrit me 7% në Evropë nga viti 2003 deri në 2023.
Më të prekura ishin qytetet e Evropës Jugore dhe Lindore.
Sëmundjet tropikale përhapen në Evropë
Ngrohja globale po favorizon gjithashtu përhapjen e disa sëmundjeve infektive, që më parë konsideroheshin kryesisht tropikale, si Ethet e Dengut, Zika dhe Chikungunya.
Shkak është përhapja në Evropë e mushkonjave, që transmetojnë viruset.
Rreziku për t’u prekur nga Ethet e Dengut u rrit mesatarisht me 111% në qytetet evropiane gjatë viteve 2015–2024, krahasuar me periudhën 1981–2010.
Rritja më e madhe u regjistrua në qytetet e Evropës Lindore, ku rreziku u rrit me 369%.
Studiuesit, vunë re tendenca të ngjashme edhe për viruset Zika dhe Chikungunya.
Më shumë polene në ajër
Ndryshimet klimatike po ndikojnë edhe në sasinë e poleneve në ajër, duke prekur më shumë qytete evropiane.
Në Budapest, për shembull, intensiteti i poleneve të mështeknës, u rrit mesatarisht me 137% gjatë periudhës 2015–2024.
Në qytetet e Evropës Jugore është vërejtur një rritje e ngjashme e poleneve të ullirit.
Krahasuar me vitet 1991–2000, përqendrimi sezonal i poleneve të mështeknës, u rrit edhe në qytete të Evropës Perëndimore, me 66% në Berlin dhe 82% në Bruksel.
Pemët ndihmojnë në uljen e temperaturave
Megjithatë, studiuesit theksojnë se pemët në qytete, janë një nga mënyrat më të rëndësishme për të zbutur pasojat e ndryshimeve klimatike.
Ato ndihmojnë në, uljen e stresit që shkakton nxehtësia; përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe mbështetjen e mirëqenies mendore.
Komisioni Ekonomik i Kombeve të Bashkuara për Evropën rekomandon që të paktën 30% e sipërfaqes së qyteteve, të mbulohet nga kurorat e pemëve.
Por, vetëm 14% e qyteteve evropiane, e përmbushin aktualisht këtë objektiv. /ATSH/