Zviceranët do të votojnë nëse do ta forcojnë neutralitetin e t’i japin fund bashkëpunimit me NATO-n në kohë paqeje

Votuesit zviceranë do të vendosin në referendumin e muajit të ardhshëm nëse do të miratojnë një formë më të kufizuar neutraliteti që do ta pengonte vendin të vendoste sanksione ekonomike ose të bashkëpunonte me NATO-n, shkruan Reuters.

Posterë me pëllumba paqeje dhe që u kërkojnë votuesve të refuzojnë luftën janë shfaqur në krejt vendin alpin në një fushatë që ka fituar mbështetjen e Kremlinit, por ka ngjallur frikën se mund ta izolojë Zvicrën nga fqinjët europianë.

Sondazhet e opinionit sugjerojnë se votuesit do ta refuzojnë propozimin, me një sondazh të kohëve të fundit që tregon se 62% janë kundër dhe 36% për. Por me aktivistët për ndryshim që i tejkalojnë mbështetësit e status quo-së, hendeku mund të ngushtohet, ka thënë anketuesi Fabio Wasserfallen.

Neutraliteti zviceran i njohur ndërkombëtarisht që nga viti 1815 dhe pjesë e kushtetutës së vendit që nga viti 1848, e mbajti Zvicrën pa u përfshirë në dy luftërat botërore. Ama ky status po kërcënohet pasi Zvicra i vendosi sanksione Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës më 2022, ka deklaruar Christoph Blocher, politikan veteran dhe mbështetës i Partisë Popullore Zvicerane (SVP) të së djathtës ekstreme, e cila mbështet fushatën.

“Zvicra nuk ka pasur luftë qe 200 vjet, sepse ka mbetur përgjithmonë e armatosur dhe neutrale”, ka theksuar Blocher në intervistën për Reutersin.

Kushtet e neutralitetit zviceran nuk janë të përcaktuara qartësisht në kushtetutë. Ky aspekt përcaktohet nga Konventa e Hagës e vitit 1907, e cila thotë se vendet neutrale nuk duhet të lejojnë përdorimin ushtarak të territorit të tyre dhe të jenë të paanshme midis palëve ndërluftuese.

Blocher, i cili ka udhëhequr fushata të suksesshme kundër lidhjeve më të ngushta me Bashkimin Europian, ka thënë se po cenohet neutraliteti, me Rusinë që tani e sheh Zvicrën si palë në konflikt për shkak të sanksioneve.

“Një luftë e tretë botërore mund të mos jetë aq larg, dhe atëherë do të ketë rëndësi nëse jemi neutralë në mënyrë të besueshme, apo jo”, ka thënë ai. Qeveria zvicerane dhe shumica e partive politike, përveç SVP-së, e kundërshtojnë propozimin, me ministrin e Jashtëm, Ignazio Cassis, që thotë se kjo do të dëmtonte sigurinë kombëtare dhe do ta pengonte atë të kryente stërvitje me NATO-n.

Ekspertët ligjorë të qeverisë kanë thënë se nuk ka nevojë të ndryshohet çfarë e quajnë formulë e suksesshme, e cila gjatë kohëve të fundit ka shtyrë Zvicrën të ndalojë fluturimet e avionëve ushtarakë amerikanë gjatë konfliktit me Iranin.

Referendumi do të mbahet më 27 shtator. /Kallxo

Read Previous

Konjufca deklarohet i pafajshëm, Prokuroria kërkon që të shpallet përgjegjës

Read Next

Manchester United synon yllin e Real Madridit, gati oferta prej 50 milionë eurosh