A mund të jetë Hyrox një stërvitje e fuqishme për plakje të shëndetshme?!

HYROX kombinon vrapin me ushtrime force, duke ofruar si stërvitje kardiovaskulare, ashtu edhe rezistencë muskulare në të njëjtën seancë. Për këtë arsye, ekspertët mendojnë se mund të jetë një mënyrë shumë e mirë për të mbështetur shëndetin dhe jetëgjatësinë, sidomos kur bëhet në mënyrë të kontrolluar.

Çfarë është Hyrox?

Hyrox ka një program të përcaktuar me 8 vrapime nga 1 kilometër dhe 8 ushtrime funksionale. Këto përfshijnë shtyrjen dhe tërheqjen e një slitë, kërcime, burpees, rowing, ecje me pesha në duar, lunges me thes rëre dhe wall balls. Përveç ushtrimeve, Hyrox ka edhe një aspekt social, pasi shumë njerëz stërviten së bashku dhe marrin pjesë në gara. Pikërisht kombinimi i aktivitetit fizik, forcës, kondicionit dhe lidhjeve sociale mund ta bëjë këtë aktivitet interesant për plakje të shëndetshme.

Si mund të ndihmojë në jetëgjatësi?

Një studim 30-vjeçar ka treguar se nivelet e larta të aktivitetit aerobik dhe ushtrimeve të rezistencës mund të lidhen me një jetë më të gjatë. Hyrox i përfshin të dyja. Vrapimet prej 1 kilometri ndihmojnë në përmirësimin e kondicionit të zemrës dhe mushkërive, ndërsa ushtrimet në stacionet e ndryshme forcojnë muskujt dhe trupin. Gjithashtu, fakti që njerëzit stërviten në grup mund të jetë një avantazh tjetër. Të kesh një komunitet dhe njerëz me të cilët ndan të njëjtin aktivitet mund të të ndihmojë të vazhdosh të ushtrohesh për një kohë të gjatë.

A është Hyrox i sigurt për të gjithë?

Jo domosdoshmërisht. Një raport i ri, i cili ende nuk është rishikuar nga ekspertë të tjerë, tregoi se pothuajse gjysma e 418 atletëve të Hyrox të përfshirë në studim kishin përjetuar të paktën një dëmtim të lidhur me këtë aktivitet. Gjuri ishte zona e dëmtuar më shpesh. Një problem i zakonshëm është që njerëzit fillojnë shumë shpejt dhe bëjnë shumë ushtrime pa i dhënë trupit kohë të mjaftueshme për t’u rikuperuar. Nuk është e nevojshme të bësh çdo ditë të tetë vrapimet dhe të gjitha ushtrimet e Hyrox-it për të marrë rezultate më të mira. Ditët me intensitet më të ulët dhe pushimi janë të rëndësishme për të shmangur mbingarkesën dhe dëmtimet. Një program i planifikuar mirë mund të të ndihmojë të rrisësh gradualisht intensitetin dhe volumin e stërvitjes.

Po nëse nuk mund të bësh Hyrox?

Nuk është aspak problem. Hyrox kërkon akses në një palestër me pajisje specifike dhe garat mund të jenë relativisht të kushtueshme. Për më tepër, vendet mund të mbushen shpejt. Ka shumë aktivitete të tjera që mund të ndihmojnë në plakjen e shëndetshme. Për shembull, kërkimet kanë treguar se sportet sociale si tenisi dhe futbolli mund të jenë të dobishme për jetëgjatësinë.

Në fund të fundit, nuk është e domosdoshme të bësh Hyrox. Gjëja më e rëndësishme është të qëndrosh fizikisht aktiv dhe të gjesh një aktivitet që të pëlqen, idealisht edhe një komunitet me të cilin mund ta bësh rregullisht. Pra, Hyrox mund të jetë një stërvitje shumë e mirë për plakje të shëndetshme, sepse kombinon kardion, forcën dhe aspektin social. Por nuk është domosdoshmërisht “stërvitja më e mirë” për jetëgjatësi. Një program i qëndrueshëm, progresiv dhe i përshtatur me nivelin tënd është më i rëndësishëm se emri i stërvitjes. /topalbaniaradio/

Read Previous

Jo vetëm Jones, merkato e Inter-it mund të mbyllet me një sulmues

Read Next

Jannik Sinner nuk do të marrë pjesë në US Open për shkak dëmtimi