Musliu: Nuk do të ndalemi deri në konstituimin e institucioneve
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka thënë se protesta dhe qëndrimi i opozitës para Qeverisë së Kosovës po vazhdon për të gjashtën ditë me radhë, duke theksuar se nuk do të ndalen deri në konstituimin e institucioneve të vendit.
Musliu tha se kërkesa e tyre është rikthimi i kushtetutshmërisë, ligjshmërisë dhe sovranitetit të shtetit.
“Jemi këtu sot për të gjashtën ditë me radhë dhe nuk do të ndalemi deri në arritjen ose realizimin e kërkesës sonë për të kërkuar te secili vetëkthimin e kushtetutshmërisë së Kosovës, ligjshmërisë dhe sovranitetit të shtetit. Kosova ka nevojë sot më shumë se kurrë që të ketë institucione funksionale, institucione kredibile, njerëz të përgjegjshëm që i drejtojnë ato”, tha Musliu.
Musliu falënderoi edhe deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për pjesëmarrjen në këtë aksion dhe i bëri thirrje Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryetarit të saj, Albin Kurti, që të reflektojnë.
“Sot më vjen mirë dhe falënderoj shumë edhe deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës që janë me ne këtu dhe ftoj Lëvizjen Vetëvendosje të reflektojë, kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti të jetë në Kuvend aty ku e ka vendin, të konstituojë institucionet, ta kthejë ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë në vend dhe të vazhdojmë përpara me trajtimin e çështjeve dhe problemeve të shumta që i ka qytetari i Republikës së Kosovës dhe Kosova në përgjithësi”, tha Musliu.
Asambleistja e PDK-së në Vushtrri, Vlera Tahiri, ka kërkuar funksionalizimin e institucioneve të Kosovës, duke theksuar se qytetarët nuk duhet të mbeten peng i ngërçit politik.
“Institucionet e Republikës së Kosovës duhet të funksionojnë. Qytetarët kanë votuar, deputetët e kanë marrë mandatin e tyre, tani është koha e përgjegjësisë politike. Kosova nuk duhet të mbetet më në pritje. Çdo ditë e humbur në këtë ngërç, është një ditë më pak për zgjidhjen e problemeve reale të qytetarëve. Për ekonominë, për arsimin, shëndetësinë, bizneset dhe të ardhmen e të rinjve tanë. Ne sot kemi ardhur dhe nga Vushtrria. Nga një komunë me qytetarë punëtorë, me biznese, me të rinj dhe me potencial të jashtëzakonshëm. Por që nuk po e merr vëmendjen e duhur nga qeveria as mbështetje prej saj. Vushtrria ka nevojë për investime, për projekte zhvillimore dhe për një qeveri që i trajton komunat dhe qytetarët me përgjegjësi. Qytetarët e Vushtrrisë nuk duhet të ndihen të lënë anash.”, tha ajo.
Tahiri tha se funksionalizimi i Kuvendit është i domosdoshëm për të adresuar problemet e qytetarëve dhe për të kërkuar llogaridhënie nga institucionet.
“Edhe pikërisht për këtë na duhen institucionet që punojnë, na duhet një Kuvend funksional ku këto çështje ngrihen, diskutohen dhe kërkohet llogaridhënie. Prandaj kërkesa është e thjeshtë. Procesi duhet të kthehet në Kuvend, seanca duhet të vazhdojë, institucionet duhet të konstituohen. Në një situatë të tillë ku institucionet nuk funksionojnë, të vetmit që humbasin janë qytetarët. Qeveria dhe Kuvendi i përkasin Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj. Është koha që institucionet të kthehen në punë.” U shpreh ajo. /KosovaPress/