Kurti: Pashë vullnetin e LDK-së që vendit t’i sjellim një president të ri
Për të pestën ditë radhazi, deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) kanë vazhduar aksionin para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar thirrjen dhe vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit.
Aksionit të PDK-së këtë të mërkurë i është bashkuar edhe Rinia Demokratike e Kosovës, ndërsa para objektit të Qeverisë kanë dalë edhe disa prodhues vendorë, të cilët së bashku me deputetët kanë bllokuar hyrjen në ndërtesë.
Deputetët e PDK-së po kërkojnë nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, që të thërrasë seancën konstituive, duke e konsideruar zvarritjen e saj si shkak të vazhdimit të ngërçit institucional në vend.
Në ditët e fundit, deputetët e kësaj partie kanë qëndruar në hyrje të Qeverisë, duke synuar të pengojnë hyrjen e Kurtit në objekt. Ata e kanë quajtur atë “kryeministër ilegal”, duke kërkuar që institucionet të funksionalizohen përmes konstituimit të Kuvendit.
Në mesin e deputetëve që kanë marrë pjesë në aksionin e sotëm janë Vlora Çitaku dhe Blera Deliu.
PDK-ja ka deklaruar se aksionet do të vazhdojnë deri në thirrjen e seancës konstituive, ndërsa pjesëmarrja e prodhuesve vendorë i ka dhënë një dimension të ri protestës para Qeverisë.