Trump thotë se fëmijët marrin shumë më tepër vaksina, reagon OBSH

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka mbrojtur bazën shkencore të rekomandimeve për vaksinimin e fëmijëve, pasi presidenti amerikan Donald Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv që synon reduktimin e numrit të vaksinave të rekomanduara për fëmijët në SHBA.

Sipas ndryshimeve të mbështetura nga administrata Trump, numri i sëmundjeve ndaj të cilave rekomandohet vaksinimi universal për fëmijët është ulur nga 17 në 11.

Trump ka argumentuar se ndryshimet do t’u ofrojnë fëmijëve amerikanë mbrojtje sipas asaj që ai e cilëson si “standard të artë”, duke e afruar SHBA-në me praktikat e vendeve të tjera të zhvilluara.

OBSH, ndërkohë, thekson se rekomandimet për imunizim mbështeten në dekada kërkimesh shkencore dhe në vlerësime nga ekspertë të pavarur. Organizata publikon rekomandime globale, ndërsa thekson se çdo shtet duhet ta përshtatë kalendarin e vaksinimit sipas situatës së tij epidemiologjike dhe nevojave shëndetësore.

Ndryshimet e administratës Trump kanë shkaktuar reagime nga organizatat mjekësore dhe ekspertët e shëndetit publik. Kritikët paralajmërojnë se reduktimi i vaksinimeve të rekomanduara mund t’i lërë disa fëmijë më të ekspozuar ndaj sëmundjeve të parandalueshme dhe të krijojë konfuzion për prindërit lidhur me kohën e vaksinimit.

Debati është nxitur edhe nga qëndrimet e sekretarit amerikan të Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr., i cili ka vënë në pikëpyetje sigurinë e vaksinave dhe ka promovuar pretendime për një lidhje mes vaksinave dhe autizmit, pretendime që nuk mbështeten nga provat shkencore ekzistuese

Read Previous

Shqipëri, 25 vatra zjarri të raportuara në 24 orët e fundit

Read Next

Dehari: Seanca e radhës thirret kur të merren vesh partitë mes vete