A e zgjedhin lojtarët më të mirë në botë Premier Ligën angleze?

Nëse Vinicius Junior do t’i ishte bashkuar Arsenalit, ai do të kishte qenë “gjë e rrallë” si një superyll i vërtetë global që do të transferohej në Premier League në momentin më të mirë të tij.

“Topçinjtë” ishin të përgatitur të bënin sulmuesin brazilian objektivin kryesor, nëse Vini Jr vendoste të largohej nga Real Madridi. Dhe 26-vjeçari ishte i hapur ndaj mundësisë.

Por Vinicius Junior nënshkroi kontratë të re që e mban te Real Madridi deri në vitin 2032.

Është një tjetër kujtesë e një kontradikte të çuditshme, shkruan BBC të premten.

Klubet e Premier Leagues kanë fuqi shpenzuese të pakrahasueshme. Liga elitare angleze konsiderohet gjerësisht si gara më e fortë vendore e futbollit. Por joshja e lojtarëve që janë vërtetë pretendentë për Topin e Artë, ka rezultuar e vështirë deri më tani.

Klubet angleze nuk kanë probleme për të joshur dhe për të mbajtur qendërmbrojtësit dhe portierët elitarë. Mungesa është në repartet tjera. Sulmuesit dhe mesfushorët ofanzivë më të lakmuar ende kryesisht zgjedhin vende të tjera, shkruan tutje mediumi i njohur anglez.

Premier League krijon superyje, rrallë i merr ata

Që nga fillimi i Premier Leagues në vitin 1992, vetëm tre lojtarë kanë fituar Topin e Artë duke përfaqësuar një klub të nivelit elitar anglez. Michael Owen i Liverpoolit e fitoi Topin e Artë në vitin 2001, Cristiano Ronaldo në vitin 2008 sa ishte te Manchester Unitedi dhe Rodri i Manchester Cityt në vitin 2024.

Anglia ka qenë jashtëzakonisht e mirë në ofrimin e mjedisit të përshtatshëm në të cilin talentet elitarë bëhen yje globalë.

Dennis Bergkamp arriti në Arsenal pas periudhës së vështirë tek Interi dhe u bë një nga lojtarët më me ndikim në Premier League. Eric Cantona kishte shfaqur shkëndija të talentit në Francë dhe në Leeds, përpara se të bëhej emblema e ekipit të parë të madh të Premier Leagues – Manchester Unitedit.

Thierry Henry arriti në Londrën veriore pas një periudhe zhgënjyese në Juventus, përpara se të zhvillohej në një nga sulmuesit më të shquar të gjeneratës së tij.

Ronaldo u bashkua me Unitedin si 18-vjeçar premtues nga Sportingu. Fitoi Topin e Artë pesë vjet më pas dhe u transferua te Real Madridi verën pasardhëse.

Erling Haaland është ndoshta shembulli më i qartë i kohëve të fundit. Ishte tashmë një nga sulmuesit e rinj më të lakmuar në Evropë kur Manchester City e transferoi nga Borussia Dortmundi në vitin 2022. Por Haaland ende nuk e kishte arritur nivelin që tani e ka në Angli.

Ky është dallimi nga transferimi i një lojtari si Vinicius, që tashmë ka fituar disa Liga të Kampionëve dhe është stabilizuar midis futbollistëve më të njohur në botë. Ka përjashtime, por shumë nga emrat më të mëdhenj arritën në Premier League pas kulmit të tyre, vlerëson BBC.

Krahasimi më i qartë me brazilianin Vinicius është Andriy Shevchenko, i cili iu bashkua Chelsat nga Milani në vitin 2006 në moshën 29-vjeçare.

Ai kishte fituar Topin e Artë vetëm dy vjet më parë dhe përfundoi i pesti në vitin 2005, duke e bërë një nga superyjet e rrallë globalë që u transferua në Premier League ndërsa ishte ende afër kulmit të karrierës së tij.

Fitues të Topit të Artë si Ruud Gullit dhe George Weah iu bashkuan gjithashtu Cheseat, por më vonë në karrierën e tyre. Ronaldo u kthye tek Unitedi si 36-vjeçar. Zlatan Ibrahimoviq arriti në moshën 34-vjeçare dhe Jurgen Klinsmann në moshën 30-vjeçare.

Liga më e pasur nuk shpenzon si Serie A e dikurshme

Gjatë viteve 1980-ta dhe 1990-ta, Serie A ishte jashtëzakonisht e pasur dhe shtëpia e padiskutueshme e yjeve më të mëdha të futbollit. Diego Maradona u largua nga Barcelona për t’iu bashkuar Napolit. Braziliani Ronaldo ishte transferuar nga Barcelona tek Interi në momentin e tij më të mirë. Michel Platini, Marco van Basten, Lothar Matthaus dhe Zinedine Zidane kaluan disa nga vitet më të mira të karrierës së tyre në Itali.

Dominimi financiar i Premier Leagues megjithatë ka ofruar një treg të ndryshëm transferimesh.

Klubet angleze shpenzojnë shumë por paratë mund të shpërndahen në skuadrat me numër të madh lojtarësh ose te lojtarët që tashmë janë dëshmuar brenda garës.

Alexander Isak, Morgan Rogers, Elliot Anderson, Moises Caicedo,  Declan Rise, Jack Grealish janë transferuar nga një klub i Premier Leagues te tjetri dhe kanë kushtuar më shumë se 100 milionë funte secili.

Të tjerë si Florian Wirtz i Liverpoolit vijnë nga vende tjera me reputacion të madh, por me vitet më të mira ende përpara.

Modeli ka më pak të bëjë me importimin e një “galaktiku” dhe më shumë me grumbullimin e 18-22 lojtarëve elitarë të aftë për të mbijetuar një edicion të vështirë.

Spanja

Kur më të mirët kanë mundësi zgjedhjeje, Spanja ende është më joshëse. Real Madridi dhe Barclona ende sfidohen me vështirësi nga klubet angleze, kur lojtarët më të lakmuar në botë janë në dispozicion.

Jude Bellingham është shembull i shkëlqyer. Pasi u largua nga Birmingham City për te Borussia Dortmundi për të vazhduar zhvillimin, mesfushori anglez zgjodhi Real Madridin si destinacion të radhës. Pra jo klubet e vendit të tij.

Ai mbetet i vetmi lojtar që luajti për Anglinë gjatë epokës së Premier Leagues e që nuk ka luajtur në këtë ligë.

Kylian Mbappe zgjodhi Real Madridin pas Parisit, ndërsa Neymari zgjodhi Barcelonën kur u largua nga Santosi në vitin 2013. Të dy kanë pasur opsione në Premier League.

Cristiano Ronaldo u largua nga Manchester Unitedi për Real Madridin, një vit pasi fitoi Topin e Artë. Luis Suarez iu bashkua Barcelonës disa muaj pasi fitoi Këpucën e Artë në Premier League dhe u shpall lojtar i vitit duke shkëlqyer me Liverpoolin.

Gareth Bale dhe Eden Hazard e lanë Londrën për Madridin pasi u stabilizuan mes lojtarëve kryesorë të Premier Leagues.

Harry Kane u largua nga Tottenhami për te Bayerni, pavarësisht se ishte vetëm 47 gola larg rekordit të Alan Shearerit prej 260 golash në Premier League.

Ka tërheqje praktike në Spanjë, vazhdon shkrimi i BBC – klima, stili i jetës dhe për shumë lojtarë të Amerikës së Jugut afërsia gjuhësore dhe kulturore.

Por joshja shkon përtej kësaj.

Real Madridi dhe Barcelona kanë status të veçantë si klube destinacioni, të përforcuara nga historia e tyre në Ligën e Kampionëve, shtrirja globale dhe lidhja me çmime të rëndësishme si Topi i Artë.

Rodri është kërkuar nga të dy skuadrat spanjolle këtë verë dhe është më afër të përfundojë te Barcelona. Haaland tashmë është superyll global, por mund të përfundojë në Real Madrid.

“Çdo lojtar dëshiron të luajë për Real Madridin”, tha babai i Haalandit, Alfie.

Anglia ka dëshmuar vazhdimisht se ofron skenën në të cilën bëhen superyjet. Por mbetet detyrë e vështirë të binden ata që janë në majë për transferim në Premier League, e po ashtu që të mbeten gjatë në këtë ligë ata që arrijnë majën duke luajtur në elitën angleze. /Koha.net/

Read Previous

Kosovë | 11 aksidente me tren në gjashtëmujorin e parë të vitit

Read Next

​Eric Wendt konfirmohet ambasador i ardhshëm i SHBA-së në Shqipëri