​Dështoi seanca e kërkuar nga opozita, Kuvendi mblidhet sot

Kuvendi i Kosovës ka thirrur vazhdimin e seancës konstituive për të shtunën (sot) prej orës 11:00, ani se partitë ish-opozitare kërkuan që ajo të mbahej dje pasdite, duke theksuar se në mesnatë përfundonte afati kushtetues prej 30 ditësh për konstituimin e institucionit ligjvënës.

Në rend të ditës të seancës së thirrur për sot janë zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.

Seanca për konstituimin e Kuvendit është ndërprerë të enjten, pasi kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti nuk propozoi emër për kryetar të Kuvendit, duke kërkuar kohë shtesë që t’u japin shanse bisedimeve politike për marrëveshje politike për president apo presidente të re.

Ndërkohë, mbrëmjen e së premtes deputetët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së u mblodhën në Kuvend, por sipas tyre, dyert e sallës ishin të mbyllura dhe seanca nuk u mbajt.

Partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK, kishin kërkuar që vazhdimi i seancës konstituive të mbahej të premten në ora 22:30, duke thënë se afati prej 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve zgjedhore përfundonte në mesnatë.

Mbajtja e seancës së kërkuar nga opozita të premten dështoi, në ditën kur, sipas përfaqësuesve të opozitës, u bënë 30 ditë nga certifikimi i rezultateve zgjedhore.

Ndërkohë, Hekuran Murati nga Vetëvendosje, reagoi ndaj qëndrimeve të opozitës për shkelje të rendit kushtetues. Ai rikujtoi se më 26 prill 2025 ishin bërë 30 ditë nga certifikimi i zgjedhjeve të 9 shkurtit, ndërsa Kuvendi ende nuk ishte konstituuar.

Në zgjedhjet e 7 qershorit, LVV-ja mori 53 deputetë, PDK-ja 22, LDK-ja 18 e Aleanca 7. /KosovaPress/

Read Previous

Parashikimi i motit për të shtunën

Read Next

​Senati amerikan miraton me shumicë dërrmuese paketën e sanksioneve të rënda ndaj Rusisë