ZRRE: Edhe nëse konsumatori shkyçet nga distanca, obligohet të paguajë tarifat prej 17 euro ndaj KESCO-s

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka thënë se edhe në rastet kur një konsumator i energjisë elektrike shkyçet e më pas rikyçjet në rrjet nga distanca përmes njehsorëve elektrikë smart, obligohet që të paguajë nga 17.70 euro tarifë për secilën procedurë.

Sipas ZRRE-së, kjo ndodhë për shkak se tarifat e tilla të shkyçjes dhe rikyçjes aplikohen sipas Rregullores për Shkyçjen dhe Rikyçjen e Konsumatorëve.

“Taifa nuk është vetëm kompensim për punën fizike të kryer në terren, por është tarifë e rregulluar për ofrimin e shërbimit të shkyçjes dhe rikyçjes. Procesi përfshin administrimin e rastit, verifikimin e kushteve për shkyçje dhe rikyçje, përditësimin e sistemeve operative dhe kryerjen e procedurave përkatëse, pavarësisht nëse ndërhyrja realizohet fizikisht apo nga distanca” – kanë thënë nga ZRRE për KALLXO.

Sipas ZRRE-së, këto tarifa prej 17.70 euro për secilën procedurë, janë vendosur me synimin që të mbulojnë koston e ofrimit të këtyre shërbimeve dhe sipas ZRRE-së, sigurojnë trajtim të njëjtë për të gjithë konsumatorët.

ZRRE ka thënë se shuma e tarifave është përcaktuar duke u bazuar në analizën e kostove duke përfshirë atë të personelit, automjeteve dhe pajisjeve, kostot administrative dhe operative, kohën mesatare të nevojshme për ofrimin e shërbimit, si dhe shpenzime të tjera që lidhen me realizimin e shërbimit.

Rregullorja për Shkyçjen dhe Rikyçjen e konsumatorëve në rrjet është miratuar në mars të vitit 2017.

Kjo rregullore parasheh që shkyçja dhe rikyçja për konsumatorët shtëpiak të tarifohet me 15 euro, plus me TVSH arrin në 17.70 euro në total për secilën procedurë, ndërsa për konsumatorët komercial nga 30 euro.

Edhe pse kishte hyrë në fuqi qysh në vitin 2017, kjo rregullore nuk kishte zbatuar në tërësi, pasi KESCO nuk aplikonte të dy tarifat, në momentin kur ka shkyçur një konsumator nga rrjeti.

ZRRE ka thënë se tarifat nuk janë zbatuar në mënyrë të vazhdueshme pasi sipas tyre, zbatimi praktik i tyre ka qenë i lidhur me politikat operative të operatorit dhe me zhvillimin e proceseve të inkasimit.

“ZRRE nuk ka nxjerrë ndonjë vendim publik që pezullon zbatimin e tarifave të përcaktuara në Rregullore. Për arsyet konkrete të mosaplikimit të tyre në periudha të caktuara, sqarimet duhet të kërkohen nga KESCO si furnizues” – kanë thënë nga ZRRE.

Read Previous

Kuvendi në ngërç: Kurti kërkon kohë shtesë

Read Next

Sot afati i fundit për konstituim të Kuvendit