“Putin është bandit” – Senatori Scott: Dua që Ukraina të fitojë

Ndërsa pushtimi në shkallë të plotë i Ukrainës nga Rusia vazhdon, në Uashington po zhvillohet një debat se si të ruhet presioni ndaj Kremlinit, në një kohë kur po shtohet bashkëpunimi mes Rusisë, Kinës, Iranit dhe Koresë së Veriut.

Senatori Rick Scott, një republikan me ndikim nga Florida, anëtar i disa komisioneve kyç dhe një nga mbështetësit më të zëshëm në Senatin amerikan për shtimin e presionit ndaj Kremlinit për luftën në Ukrainë, tha për Radion Evropa e Lirë më 4 gusht se beson se këto sfida janë të pandashme.

Radio Evropa e Lirë: Ju pamë javën e kaluar duke lobuar në mënyrë aktive dhe duke bashkësponsorizuar Projektligjin për Sanksionimin e Rusisë të vitit 2026, të propozuar nga senatori Lindsey Graham. A është tani momenti i duhur që Kongresi ta miratojë këtë projektligj dhe a besoni se presidenti Donald Trump do ta nënshkruajë?

Senatori Rick Scott: Absolutisht. [Presidenti rus, Vladimir] Putin është një bandit. Është e neveritshme ajo që u ka bërë ukrainasve dhe sa gra, fëmijë e gjyshe ka vrarë. Është e rëndësishme që ne të mbrojmë lirinë.

Duhet vërtet t’i admirosh ukrainasit. Javën e kaluar ftova dy komandantë ukrainas këtu për të shpjeguar se çfarë kanë arritur me teknologjinë e dronëve dhe mënyrën si po zhvillojnë luftën, dhe me të vërtetë duhet t’i admirosh.

Nëse mbështet atë që po bën Rusia, atëherë duhet të sanksionohesh. Nuk ka asnjë dyshim për këtë.

Radio Evropa e Lirë: Ju jeni pjesë e disa komisioneve kyç dhe drejtoni një nënkomision të Komisionit për Forcat e Armatosura të Senatit. Kur ua paraqisni kolegëve argumentet për këtë legjislacion, cili është mesazhi kryesor që theksoni?

Scott: Ajo që u them është se po jetojmë në kohë të rrezikshme. Sot ka njerëz të neveritshëm që kontrollojnë vende dhe burime në mbarë botën.

Shikoni presidentin Xi në Kinë. Shikoni Putinin në Rusi. Shikoni ajatollahun [Mojtaba Khamenei] në Iran. Shikoni Kim Jong Unin [në Korenë e Veriut]. Shikoni në këtë hemisferë Raúl Castron [e Kubës) dhe, deri në janar, [ish-presidentin Nicolás] Maduro të Venezuelës. Kemi njerëz që duan ta shkatërrojnë mënyrën tonë të jetesës, ndaj duhet të veprojmë dhe të mbështesim miqtë tanë. Duhet të presim që edhe miqtë tanë të bëjnë më shumë për t’u mbrojtur dhe ta kuptojnë se kjo është një periudhë e rrezikshme.

Nuk mund të themi, nga njëra anë, se Rusia është një vend i tmerrshëm dhe, nga ana tjetër, të mos e mbajmë përgjegjëse. Duhet ta bëjmë këtë. E njëjta gjë vlen edhe për Kinën komuniste. Duhet të ndalojmë së bleri çdo gjë nga Kina komuniste, sepse ata po ndërtojnë ushtrinë e tyre ndërkohë që ne shqetësohemi për ta, por nuk ua shpjegojmë qytetarëve amerikanë se duhet të ndalojnë blerjen e produkteve të tyre.

Projektligji për sanksionet, sipas mendimit tim, është një hap drejt mbajtjes së Putinit përgjegjës. Unë dua që Ukraina të fitojë dhe Rusia të humbasë. Ukrainasit janë në anën e duhur, ndërsa qeveria e Rusisë është në anën e gabuar.

Radio Evropa e Lirë: Kur flisni me kolegët tuaj, a mendoni se ata e kuptojnë se Ukraina është një aleate shumë më e fortë për SHBA-në sesa shumë vende të tjera në rajon?

Scott: Mendoj se është një aleate e shkëlqyer dhe ka treguar se njerëzit janë të gatshëm të luftojnë për lirinë.

Ajo që duhet të admirosh te ukrainasit është se, edhe në kushte jashtëzakonisht të vështira, ata luftojnë për lirinë.

Shikoni çfarë mendojmë për izraelitët. Ata luftojnë për lirinë e tyre. Janë të gatshëm të luftojnë sepse duan që fëmijët dhe nipërit e mbesat e tyre të jetojnë në një mjedis të lirë. Besoj se heroizmi i ukrainasve admirohet në mbarë botën.

Nëse dëshiron mbështetjen amerikane, duhet t’u shpjegosh njerëzve se kush janë të mirët dhe kush janë të këqijtë. Mendoj se [presidenti i Ukrainës, Volodymyr] Zelensky e bëri këtë në fillim. Besoj se mund ta kishte bërë më mirë pas muajve të parë. Por tani po tregojnë aftësitë e tyre.

Radio Evropa e Lirë: A e ka nënvlerësuar Vladimir Putin vendosmërinë e Amerikës për të vazhduar mbështetjen ndaj Ukrainës?

Scott: Absolutisht. Mendoj se Putin mendoi se mund të përfitonte nga Trump dhe nga evropianët. Nga evropianët përfitoi. Mendoj se ai e nënvlerësoi përkushtimin e Trumpit ndaj lirisë në mbarë botën.

Njerëzit janë befasuar që presidenti Trump po sigurohet që Irani të mos ketë armë bërthamore. Besoj se janë befasuar që po përpiqet ta mbajë Kinën komuniste përgjegjëse. Besoj se u befasuan edhe kur u përball me Maduron në Venezuelë. Bota është befasuar nga gatishmëria e Donald Trumpit për të mbrojtur lirinë në mbarë botën.

Radio Evropa e Lirë: Së voni pritët komandantë ukrainas të njësive të dronëve në Kapitol Hill. Radio Evropa e Lirë raportoi gjithashtu e para se SHBA-ja dhe Ukraina kanë nënshkruar një marrëveshje fillestare për bashkëpunim në fushën e dronëve, ndërsa një marrëveshje më e gjerë ende është në negociata. Pse mendoni se ky partneritet është strategjikisht i rëndësishëm?

Scott: Mendoj se një pjesë e rëndësishme është se ukrainasit kanë qenë shumë krijues në atë që kanë ndërtuar dhe kanë arritur të zhvillojnë teknologji gjithnjë e më të avancuar të dronëve.

Por ndoshta edhe më mbresëlënëse është cilësia e operatorëve të tyre. Me një numër shumë të vogël njerëzish, ata kanë arritur të shkatërrojnë forcat iraniane dhe ruse.

Fola me një komandant ukrainas i cili, me 2.000 njerëz, ka shkatërruar pajisje ushtarake ruse me vlerë mbi 15 miliardë dollarë. Fola me një komandant tjetër që vepron me një pjesë shumë të vogël të buxhetit ushtarak të Ukrainës, por ka shkatërruar rreth 30 për qind të ushtrisë ruse, sepse kanë gjetur mënyrën për ta bërë këtë në mënyrë shumë të zgjuar, duke përdorur armë autonome, trajnim të shkëlqyer dhe një proces të vazhdueshëm përmirësimi.

Njerëzit që operojnë dronët janë në kontakt të drejtpërdrejtë me ata që zhvillojnë teknologjinë, kështu që përmirësimet bëhen dita-ditës. Me të vërtetë duhet ta admirosh atë që ka arritur ushtria ukrainase.

Radio Evropa e Lirë: A do ta inkurajonit administratën amerikane që ta finalizojë sa më shpejt këtë marrëveshje më të gjerë?

Scott: Kam folur me njerëz në Departamentin e Mbrojtjes. Kam folur edhe me presidentin për rëndësinë e bashkëpunimit me ukrainasit, sepse duhet ta respektosh dhe ta admirosh atë që po arrijnë.

Nuk besoj se shumë njerëz mendonin që Ukraina do të ekzistonte ende. Edhe më e rëndësishme është se ata e kanë çuar luftën në territorin rus dhe te populli rus.

Për një kohë të gjatë nuk kishte asnjë pasojë për rusët. Tani ka pasoja për ekonominë ruse dhe për vetë rusët, për shkak të asaj që ukrainasit kanë arritur të bëjnë.

Dallimi është se ukrainasit nuk po dalin të vrasin civilë rusë. Ata po shkatërrojnë ushtrinë ruse, ndërsa Rusia po përpiqet t’i ndalë duke vrarë civilë ukrainas.

Radio Evropa e Lirë: Ukrainasit janë gjithashtu të shqetësuar për ritmin e prodhimit të sistemeve të mbrojtjes ajrore Patriot. Presidenti Trump ka sinjalizuar se është i hapur për t’i dhënë Ukrainës një licencë për riprodhim, megjithëse ka pasur sinjale të përziera. Çfarë po dëgjoni ju?

Scott: Kur flas me Shtëpinë e Bardhë, ata janë plotësisht të përkushtuar ndaj Ukrainës dhe jam shumë i bindur se do t’i sigurojnë Ukrainës armët që i duhen, në kohën kur i duhen.

Radio Evropa e Lirë: Ju përmendët disa vende – Iranin, Korenë e Veriut, Rusinë dhe Kinën. A shihni ndonjë lidhje mes këtyre katër shteteve?

Scott: Po, absolutisht. Është e qartë se ka bashkëpunim mes tyre. Ata e urrejnë mënyrën tonë të jetesës. E urrejnë kapitalizmin. E urrejnë traditën judeo-kristiane. Duan të na shkatërrojnë. Duan të kontrollojnë botën. Dhe do të punojnë së bashku për ta arritur këtë, siç kanë bërë edhe deri tani.

Duhet ta kuptojmë se ekziston një kërcënim serioz ndaj lirisë sonë dhe ndaj aleatëve tanë që besojnë në liri.

Putin nuk beson në lirinë individuale. Xi nuk beson në lirinë individuale. As ajatollahu. As Maduro. As Raúl Castro. As Kim Jong Un. Ata do të vazhdojnë të bashkëpunojnë për të shkatërruar mënyrën tonë të jetesës.

Radio Evropa e Lirë: A është mposhtja e Rusisë në Ukrainë hapi i parë i madh drejt frenimit të kësaj aleance më të gjerë autoritare?

Scott: Mendoj se ajo që kanë bërë ukrainasit është të tregojnë se diktaturat e korruptuara dështojnë dhe se liria triumfon.

Read Previous

Niveli i Danubit po bie aq shumë sa që anijet e Luftës së Dytë po shfaqen

Read Next

Për herë të parë në histori, një grua bëhet gjenerale në Forcat Ajrore të Turqisë