Kosova më në fund dokumenton çdo viktimë të luftës

Foto: Armend Nimani (AFP)

Për më shumë se dy dekada prej fundit të luftës, mungesa e një databaze zyrtare ka lënë hapësirë për pasaktësi rreth viktimave të regjimit serb gjatë periudhës 1998-1999, duke e lënë të pa mbrojtur të vërtetën historike dhe kujtesën kolektive të shqiptarëve përballë përpjekjeve për të zvogëluar përmasat e krimeve të kryera nga Serbia.

Instituti për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë (IKKL) ka publikuar zyrtarisht raportin preliminar dhe regjistrin e parë të plotë shtetëror për personat e vrarë, të zhdukur me dhunë dhe atyre që kanë vdekur për shkak të luftës së fundit në Kosovë.

Për të siguruar që të dhënat të jenë sa më të sakta, familjarët dhe institucionet relevante janë ftuar që të japin kontributin e tyre përmes dëshmive shtesë.

Sipas raportit të IKKL-së, janë dokumentuar 13.227 viktima të luftës në Kosovë, në periudhën 1 janar 1998 – 20 qershor 1999, nga të cilët 11.407 janë vrarë nga forcat serbe, 1.578 janë zhdukur me dhunë, ndërsa 242 kanë vdekur si pasojë e luftës.

Tragjedia e Kosovës prek çdo grupmoshë: nga foshnjat dhe fëmijët e deri te të moshuarit. Janë regjistuar gjithsej 1.242 viktima të moshës 0-17 vjeç, kurse 1.949 të moshës mbi 65 vjeç. E pjesa dërrmuese e viktimave të regjistruara deri më tani janë meshkuj, gjithsej 11.416, ndërsa numri i viktimave të gjinisë femërore është 1.810.

Skenderaj kryeson sa i përket komunave me numrin më të lartë të viktimave të evidetuara të luftës, ku janë regjistruar gjithsej 1.279 persona. Pas Skenderajt vjen Gjakova me 1.222 viktima, Drenasi me 938, Rahoveci me 924, Peja me 761, Mitrovica me 671, Suhareka me 657, Prizreni me 648, Podujeva me 602 dhe Klina me 536.

Serbia është porositur vazhdimisht të ndalojë fshehjen e krimeve të luftës përmes klasifikimit të tyre dhe të veprojë në frymën e pendesës, ashtu sikurse është obliguar edhe me Deklaratën për Personat e Zhdukur të arritur në maj të vitit 2023 në kuadër të procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Ndryshe, publikimi i këtij regjistri vjen pas tronditjes së opinionit nga ekspozita skandaloze “Masakrat në Kosovë 1998–1999” në qendër të Prishtinës, e cila aktivizoi edhe Prokurorinë Speciale pas dyshimeve për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit. /Albanianpost.com

Read Previous

Parashikimi i motit për të enjten

Read Next

Kufizime për kamionët në autoudhë për shkak të temperaturave të larta