Gjithçka që u diskutua në takimet konsultative me Kurtin, Hamzën dhe Abdixhikun

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, zhvilloi të premten takime konsultative me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, dhe me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, në kuadër të përpjekjeve për formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve parlamentare.

Pas takimit me Hamzën, Kurti e cilësoi bisedën si konstruktive, por bëri të ditur se nuk është arritur ndonjë marrëveshje konkrete.

“Aktualisht nuk mund të them që kemi ndonjë rezultat konkret apo ndonjë të arritur, por uroj që kjo frymë konstruktiviteti të mbizotërojë dhe, në përputhje me afatet kushtetuese, të arrijmë t’i konstituojmë institucionet dhe vendit t’i japim kryetarin e Kuvendit, kryeministrin dhe presidentin e ri”, u shpreh ai.

Kurti bëri të ditur se konsultimet do të vazhdojnë edhe me subjektet e tjera politike, duke njoftuar se gjatë pasdites do të takohet me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku.

“Duhet të jemi optimistë në rrugën përpara. Sot pasdite do ta takoj edhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun, dhe shpresoj që tri partitë t’i mbledhim deputetët dhe t’i konstituojmë të gjitha institucionet e legjislaturës së 11-të”, tha ai.

Sipas Kurtit, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2011 kërkon mbështetjen e 80 deputetëve për zgjedhjen e presidentit, ndërsa ai vlerësoi se LVV-ja, PDK-ja dhe LDK-ja së bashku kanë numra të mjaftueshëm për ta realizuar këtë proces.

Ai shprehu keqardhje që kryetari i Aleancës, Ardian Gjini nuk pranoi të zhvillojë një takim konsultativ.

“Kur i mblodha numrat e deputetëve nuk thashë plus shtatë, pasi kryetari i Aleancës nuk e ka parë të domosdoshme dhe të rëndësishme të takohet me mua. Mendoj që do të duhej të takohej. Nuk është në rregull që një parti e respektuar si AAK të mos takohet me mua. Andaj më duhet të them 93 në vend që të them 100 deputetë”, deklaroi Kurti.

Lideri i LVV-së theksoi se përgjegjësia për formimin e Qeverisë është e partisë fituese, ndërsa për zgjedhjen e presidentit nevojitet konsensus më i gjerë politik.

“Nëse unë, si fitues i zgjedhjeve, kam përgjegjësi për formimin e Qeverisë, zgjedhja e presidentit nuk është përgjegjësi vetëm e partisë fituese, por është menduar të ndodhë në bashkëpunim me të tjerët. Prandaj, si pikënisje do të kishim një figurë konsensuale, dikë që nuk është pjesë e asnjë partie politike dhe që ka vlera të dëshmuara kombëtare dhe institucionale. Për qeverisjen përgjegjësia bie mbi ne, ndërsa për presidentin përgjegjësia bie mbi të gjithë ne”, theksoi ai.

Nga ana tjetër, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza ka deklaruar se partia që drejton do të mbetet në opozitë gjatë këtij mandati, pas takimit që zhvilloi me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti.

Duke folur para mediave, Hamza tha se takimi u zhvillua në një atmosferë korrekte, ndërsa ritheksoi se PDK gjatë fushatës zgjedhore ka garuar me një program të fokusuar në zhvillimin ekonomik, mirëqenien sociale, energjinë dhe infrastrukturën.

“Posa e përfunduam takimin me Kurtin. PDK në këto zgjedhje ka garuar me program dhe me prioritete që kanë të bëjnë me fushën e ekonomisë, mirëqenies sociale, si dhe me projekte në energji dhe infrastrukturë. Për t’i zbatuar këto prioritete, PDK nuk ka vija të kuqe dhe është e hapur për të biseduar për marrëveshje gjithëpërfshirëse politike”, tha Hamza.

Megjithatë, ai bëri të ditur se, bazuar në diskutimet e zhvilluara, qëndrimi i PDK-së mbetet i pandryshuar.

“Bazuar në bisedat që i kemi pasur, normalisht korrekte, qëndrimi ynë është që PDK në këtë mandat është e gatshme të jetë në opozitë dhe i dëshirojmë sukses Kurtit”, u shpreh ai.

Hamza theksoi gjithashtu se procesi i konstituimit të institucioneve kërkon bashkëpunim ndërmjet subjekteve politike, duke përmendur edhe çështjen e zgjedhjes së presidentit.

“Të gjitha partitë tjera nuk mund ta zgjedhin presidentin pa LVV-në. LVV-ja duhet të gjejë partnerë sipas nevojave dhe kritereve të tyre për t’i dhënë vendit institucione”, deklaroi ai.

Po ashtu në orët e pasdites së të premtes u zhvillua edhe takimi i dytë mes liderit të LVV-së, Albin Kurti dhe kryetarit të LDK-së Lumir Abdixhikut.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, bëri të ditur se në takimin me Kurtin, është diskutuar për stabilitetin institucional dhe nevojën për të shmangur zgjedhjet e reja.

Pas takimit, Abdixhiku tha se palët janë pajtuar që dialogu të vazhdojë edhe në ditët në vijim.

“Folëm për stabilitetin institucional dhe shmangien e domosdoshme të zgjedhjeve. Në këtë fazë u dakorduam që t’i vazhdojmë bisedimet”, deklaroi ai.

Sipas kreut të LDK-së, diskutimet janë përqendruar te parimet dhe jo te emrat konkretë.

“Ne biseduam për parime dhe, për LDK-në, këto parime kërkojnë balancën demokratike në vend. Në këtë balancë duhet të kontribuojnë të gjitha palët. Nuk kemi arritur të flasim për emra të përveçëm”, tha Abdixhiku.

Ai e cilësoi takimin si një hap pozitiv, duke theksuar se nuk ishte e mundur të trajtoheshin të gjitha temat në një takim të vetëm.

“Në këtë takim ishte e pamundur të flasim për të gjitha temat, por ishte hap i mirë për të vazhduar tutje në bisedime. I kemi 30 ditë kohë për konstituimin e Kuvendit dhe 60 ditë për zgjedhjen e presidentit. E rëndësishme është që po flasim para se të merren hapa të njëanshëm. Kjo jep shpresë”, u shpreh ai.

Abdixhiku shtoi se, megjithëse ende nuk është arritur një konsensus për parimet, bisedimet mes palëve do të vazhdojnë.

“Ende nuk kemi arritur konsensus rreth parimeve, por po bisedojmë”, deklaroi kryetari i LDK-së.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se është ende herët për të vlerësuar nëse takimi i zhvilluar me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe kandidaten për presidente Vjosa Osmani ishte i suksesshëm apo jo.

Pas takimit, Kurti tha se bisedimet kanë përfshirë të gjitha temat kryesore politike, por se ende nuk është arritur ndonjë përfundim konkret.

“I kemi edhe katër javë përpara deri në fillimin e seancës konstituive. Nuk ka temë që s’e kemi diskutuar, por ende nuk kemi ndonjë konkluzion për ta ndarë me ju,” u shpreh ai.

Kurti tha se mbetet optimist për ecurinë e dialogut ndërmjet subjekteve politike.

“Jam optimist për racionalitetin që po mbizotëron nga këto takime. Është një ndërmarrje që kërkon besim dhe kohë për rezultate. E kemi edhe konfidencialitetin e këtyre bisedave. Kemi diskutuar për qeverinë dhe Kuvendin, por edhe për presidentin, ndërsa fokusi ka qenë te zhvillimet aktuale politike”, deklaroi ai.

Kreu i LVV-së theksoi se synimi i partisë së tij është arritja e një marrëveshjeje politike që do të shmangte mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

“Ne jemi të interesuar për marrëveshje që të mos kemi zgjedhje. Synimi i përbashkët është që të shmangen zgjedhjet. Ne synojmë marrëveshje politike, pasi jemi subjekte politike”, tha Kurti. /Telegrafi/

Read Previous

Parashikimi i motit për të shtunën

Read Next

​31 vjet nga masakra e Srebrenicës