Thesari i SHBA-së mbështet reformat e BQK-së në sektorin financiar
Gjykata Supreme e Kosovës ka shfuqizuar pjesërisht dispozitat e Udhëzimit Administrativ të Ministrisë së Punëve të Brendshme që rregullon përdorimin e xhamave të errët në automjete, duke konstatuar se disa nga kufizimet e vendosura nuk kishin bazë ligjore.
Vendimi është marrë nga Kolegji i Gjykatës Supreme në një konflikt administrativ të iniciuar nga Organizata Joqeveritare “Marakli t’Kerreve” dhe Instituti “TriPika – Sport, Sociale, Ekonomi”, të cilët kishin kërkuar shqyrtimin e ligjshmërisë së nenit 7 të Udhëzimit Administrativ (MPB) Nr. 12/2024 për Plotësimin dhe Ndryshimin e Udhëzimit Administrativ Nr. 04/2023 për Regjistrimin e Mjeteve.
Pas shqyrtimit publik të mbajtur më 4 qershor 2026, Gjykata ka aprovuar pjesërisht padinë, duke shpallur të paligjshëm dhe shfuqizuar paragrafin 1, paragrafin 3 dhe paragrafin 4 të nenit 7. Ndërkaq, paragrafi 2 i të njëjtit nen është lënë në fuqi.
Sipas arsyetimit të Gjykatës, Ligji për Rregullat e Trafikut Rrugor dhe Ligji për Automjete nuk parashohin ndalim të përgjithshëm për vendosjen e materialeve errësuese apo zëvendësimin e xhamave të automjeteve me xhama të errësuar. Përkundrazi, legjislacioni në fuqi lejon modifikime të tilla, me kusht që ato t’i nënshtrohen procedurave të verifikimit teknik dhe atestimit sipas standardeve ligjore.
Gjykata vlerësoi se dispozitat e shfuqizuara krijonin kufizime të reja që nuk burojnë nga ligji. Konkretisht, paragrafi 1 lejonte xhamat e errët vetëm për automjetet që i kishin të instaluara nga prodhuesi, ndërsa paragrafi 3 ndalonte në mënyrë të përgjithshme vendosjen e folieve errësues në xhamat e automjeteve.
Sipas Supremes, këto dispozita nuk përbënin zbatim të ligjit, por vendosnin ndalime të reja materiale që nuk ishin paraparë nga Kuvendi përmes ligjit. Për të njëjtën arsye është shfuqizuar edhe paragrafi 4, i cili i jepte Ministrit të Punëve të Brendshme kompetencën për të lejuar përjashtime nga ndalimi.
Në aktgjykim, Gjykata ka theksuar se organet administrative mund të nxjerrin akte nënligjore vetëm për të zbatuar dhe konkretizuar ligjin, por jo për të krijuar kufizime të reja që nuk mbështeten në autorizim të qartë ligjor.
Po ashtu, Gjykata ka vlerësuar se dispozitat e shfuqizuara krijonin trajtim të pabarabartë për automjete që ndodhen në situata të ngjashme, pa u dëshmuar nevoja për një dallim të tillë në funksion të mbrojtjes së interesit publik.
Ndërkohë, paragrafi 2 i nenit 7 ka mbetur në fuqi, pasi sipas Gjykatës ai ka karakter teknik dhe administrativ, duke rregulluar vetëm evidentimin e xhamave të errët në dokumentacionin e regjistrimit të automjetit, pa vendosur kufizime që bien ndesh me ligjin. /RTKLive