Irani thotë se po rishikon negociatat me SHBA-në pas sulmeve të fundit

Tehrani zyrtar po “rishikon” negociatat me Shtetet e Bashkuara, në dritën e sulmeve amerikane kundër Iranit natën e së martës, citohet të ketë thënë zëdhënësi i ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei, sipas Rrjetit Studentor Iranian të Lajmeve (SNN).

Baghaei ka akuzuar SHBA-në dhe Izraelin për “shkelje të përsëritura të armëpushimit” dhe ka thënë se diplomacia nuk mund të zhvillohet “në një vakum”, duke shtuar se nevojitet “një mjedis minimal ku diplomacia mund të funksionojë” që negociatat të përparojnë.

“Fatkeqësisht, Shtetet e Bashkuara po e minojnë këtë proces përmes mesazheve kontradiktore, ndryshimeve të shpeshta në qëndrimet dhe kërkesat e tyre, si dhe përmes shkeljeve të përsëritura të armëpushimit”, citohet të ketë deklaruar ai.

Baghaei ka shtuar se edhe Izraeli ka treguar mungesë sinqeriteti përmes sulmeve të përsëritura në Liban.

Irani ka njoftuar të mërkurën se kishte ndërmarrë sulme hakmarrëse ndaj objektivave amerikane në rajon, për shkak të sulmeve amerikane mbi Iran, pas rrëzimit të një helikopteri ushtarak amerikan të martën pranë Ngushticës së Hormuzit. 

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka shkruar të martën në Truth Social, se Irani e kishte sulmuar helikopterin dhe se SHBA-ja për këtë do të përgjigjej. 

Shumë pak kohë pas këtij postimi, ushtria amerikane ka deklaruar se kishte përfunduar sulmet kundër Iranit, të cilat sipas saj ishin një përgjigje ndaj rrëzimit të një helikopterit. 

Ky zhvillim tregon se tensionet midis Iranit dhe SHBA-së mbeten të larta dhe mund të komplikojnë përpjekjet diplomatike për rifillimin e bisedimeve mes dy vendeve. /Koha.net/

Read Previous

Tentojnë të arratisen nga Qendra Korrektuese në Lipjan, arrestohen të dy persona

Read Next

Hoxha: Rruga e anëtarësimit të Shqipërisë në BE ka hyrë në fazën më përcaktuese