Rama për “Associated Press”: Ende s’ka projekt për Zvërnecin

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një intervistë për Associated Press (AP), theksoi se do të ecë përpara me projektin luksoz, i cili pritet të realizohet nga dhëndri i presidentit të SHBA-së Donald Trump, Jared Kushner, pavarësisht protestave kundër tij në vend.

Rama hodhi poshtë kundërshtimet mjedisore, si rezultat i dezinformimit dhe tha se projekti po e shndërron Shqipërinë nga një vend dikur i shpërfillur nga investitorët, në një vend “ku kapitali i madh dëshiron të vijë dhe investitorët e mëdhenj duan të vijnë”.

Sipas qeverisë, ky projekt do të ishte transformues për kombin ish-komunist, ndërsa ai kërkon të hyjë në tregun e turizmit të nivelit të lartë dhe po bën përpjekje për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Por, mijëra demonstrues i janë bashkuar protestave të përditshme, jashtë zyrës së Ramës në kryeqytetin e Tiranës — përfshirë edhe sot — kundër projektit të planifikuar që përfshin hotele, apartamente, vila dhe një marinë për jahte.

Kryeministri tha se një vlerësim formal i ndikimit në mjedis nuk ka nisur ende, edhe pse puna ka filluar për pastrimin e tokës brenda një rezervati natyror.

I pyetur nëse mund të tërhiqej nga projekti, Rama u përgjigj duke refuzuar: “Të tërhiqem nga çfarë?”

SPAK ka hapur një hetim në lidhje me projektin. Qeveria thotë se toka është në pronësi private, por janë shfaqur pretendime rivale lidhur me privatizimin e saj.

“Vendi juaj është absolutisht mahnitës”

Rama tha se propozimi i Kushner nisi rastësisht. Ai kujtoi një darkë në jug të Shqipërisë me Kushner, bashkëshorten e tij Ivanka Trump dhe disa miq, të cilët kishin ndaluar në portin e Durrësit, për të furnizuar me karburant jahtin e tyre gjatë rrugës për në Mal të Zi.

Disa muaj më vonë, Kushner iu afrua kryeministrit Rama në një takim të liderëve botërorë dhe drejtuesve të biznesit në Davos të Zvicrës dhe i shprehu interes për të investuar në Shqipëri.

“Vendi juaj është absolutisht mahnitës dhe ne do të dëshironim një mundësi për të investuar”, tha Rama duke iu referuar bisedës me Kushner.

Një kompani investimesh e lidhur me Jared Kushner, ka marrë statusin e investitorit strategjik nga autoritetet shqiptare.

Projekti luksoz ka dy komponentë, një ndërtim bregdetar në zonën e Lagunës së Nartës, e cila është rezervat i jetës së egër, dhe një resort më të vogël në ishullin e pabanuar të Sazanit, një bazë ushtarake e periudhës komuniste.

“Ky është ende një proces planifikimi”

Puna ka nisur tashmë për pastrimin e tokës, brenda një rezervati natyror, të përdorur nga shpendët shtegtarë, duke bërë që grupet mjedisore, të paralajmërojnë për shkatërrimin e habitateve të ruajtura prej kohësh.

Shqipëria ka 450 kilometra vijë bregdetare, që mbeti kryesisht e pazhvilluar, gjatë dekadave të sundimit të ashpër komunist.

Rama tha se një vlerësim formal i ndikimit në mjedis, nuk ka nisur, pasi plani për ndërtimin nuk është finalizuar ende.

Ai tha se arkitektë ndërkombëtarë dhe specialistë të mjedisit janë ende duke formësuar propozimin.

“Kur bëhet fjalë për mjedisin, ende nuk ka projekt, ende nuk ka vlerësim të ndikimit në mjedis, sepse ky është ende një proces planifikimi”, tha ai.

Rama argumentoi se Shqipëria ka një histori të fortë në ruajtjen e natyrës, duke përmendur ndalimet e gjuetisë dhe prerjes së pyjeve, të cilat sipas tij kanë ndihmuar në rikuperimin e popullatave të flamingove.

“Kemi një dokumentacion fantastik, se si jeta e egër në Shqipëri u rikthye falë moratoriumit 10-vjeçar të gjuetisë”, tha Rama.

Që nga fundi i majit, ekskavatorë dhe makineri të tjera të rënda, kanë hyrë në zonën e planifikuar për zhvillim, duke hapur rrugë hyrëse, duke gërmuar në rërë, duke pastruar tokën mes pishave dhe duke vendosur rrethime.

Rama: Kritikat janë plot me “gjysmë të vërteta”

Kryeministri sugjeroi se një pjesë e reagimit kundër projektit, po zmadhohet nga ndërhyrje të jashtme, duke përmendur atë që, ai e përshkroi si një fushatë të hershme kibernetike iraniane kundër Shqipërisë.

Shqipëria ka akuzuar prej kohësh Iranin, se mbështet hakerë që sulmojnë infrastrukturën kibernetike të vendit, pasi Shqipëria strehoi anëtarë të një grupi opozitar iranian. Teherani i ka mohuar këto akuza.

“Ka shumë manipulim. Ka shumë “gjysmë të vërteta” që bëhen gënjeshtra gjithnjë e më të mëdha nga ora në orë”, tha ai.

Kryeministri Rama theksoi se nuk po akuzonte protestues individualë, se vepronin si agjentë të huaj. /ATSH/

Read Previous

Begaj: Lidhja e Prizrenit, mbetet thirrje e përhershme për unitet dhe përgjegjësi kombëtare

Read Next

Tuchel: Anglia nuk është favorite për Kupën e Botës