Rregullatori britanik i medias: TikTok dhe YouTube nuk janë mjaftueshëm të sigurta për fëmijët

Rregullatori britanik i medias, “Ofcom”, ka kritikuar platformat, TikTok dhe YouTube, duke deklaruar se algoritmet dhe përmbajtjet e tyre “nuk janë mjaftueshëm të sigurta” për fëmijët, raportoi BBC.

Në një raport të ri, “Ofcom” tha se të dyja platformat nuk kanë marrë masa efektive, për të kufizuar përmbajtjet e dëmshme që u shfaqen të miturve, duke këmbëngulur se sistemet aktuale janë të sigurta.

Raporti vlerësoi se kompani të tjera si “Meta”, “Snap” dhe “Roblox” kanë pranuar të forcojnë masat kundër rreziqeve të abuzimit dhe “grooming”-ut online.

“Grooming” është një formë manipulimi dhe abuzimi, kur një i rritur krijon gradualisht besim me një fëmijë ose të mitur – zakonisht online – me qëllim shfrytëzimin seksual, emocional ose kriminal.

Sipas “Ofcom”, 84% e fëmijëve nga 8 deri në 12 vjeç përdorin të paktën një platformë me kufi minimal moshe 13 vjeç, duke rritur presionin për ligje më të ashpra në Britaninë e Madhe.

Drejtuesja e “Ofcom”, Melanie Dawes, paralajmëroi se rregullatori është i gatshëm të nisë hetime formale dhe të marrë masa të forta ndaj platformave, që nuk respektojnë rregullat e sigurisë online për fëmijët.

Qeveria britanike po shqyrton masa të reja, përfshirë kufizime moshe, orare përdorimi të aplikacioneve dhe mundësinë e ndalimit të rrjeteve sociale për përdoruesit nën 16 vjeç. /ATSH/-

Read Previous

Edi Rama: Mikpritja në Tokio, shenjë respekti për Shqipërinë e ndryshuar

Read Next

“Travel Tomorrow”: Tirana, kryeqyteti që ndërthur historinë, kulturën dhe jetën moderne