Pse u largua me urgjencë shefja e inteligjencës amerikane?

Drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare të SHBA-ve, Tulsi Gabbard, ka njoftuar sot, 22 maj, dorëheqjen e saj nga detyra, e cila do të hyjë në fuqi më 30 qershor 2026. Ajo ka deklaruar se vendimi vjen për shkak të një arsyeje personale të rëndë, diagnozës së bashkëshortit të saj me një formë shumë të rrallë të kancerit të kockave.

Në letrën drejtuar presidentit Donald Trump, Gabbard shkruan se bashkëshorti i saj, Abraham, po përballet me një betejë të vështirë shëndetësore dhe se ajo nuk mund të vazhdojë detyrën pa qenë pranë tij.

“Abraham ka qenë shtylla ime e forcës gjatë gjithë martesës sonë 11-vjeçare… nuk mund t’i kërkoj atij të përballet i vetëm me këtë betejë, ndërsa unë vazhdoj në një detyrë kaq kërkuese”, shkruan ajo.

Trump e ka vlerësuar Gabbard për shërbimin e saj dhe ka shprehur keqardhje për largimin e saj, duke theksuar njëkohësisht se zëvendësi i parë, Aaron Lukas, do të shërbejë si drejtor në detyrë i inteligjencës kombëtare.

“Bashkëshorti i saj po kalon një sëmundje të rrallë dhe ajo me të drejtë dëshiron të jetë pranë tij”,deklaroi Trump në rrjetin e tij TruthSocial, duke shtuar se Gabbard ka bërë “një punë të shkëlqyer”.

Sipas raportimeve, gjatë javëve të fundit në Shtëpinë e Bardhë kishin qarkulluar zëra për largimin e saj, megjithëse ajo i kishte mohuar më herët këto spekulime. Dorëheqja u dorëzua personalisht gjatë një takimi me presidentin në Zyrën Ovale.

Gjatë mandatit të saj, Gabbard është përballur me kritika dhe mospërputhje qëndrimesh, veçanërisht lidhur me luftën SHBA-Iran dhe vlerësimet e inteligjencës amerikane për programin bërthamor iranian.

Këto qëndrime shpesh e kanë vendosur në konflikt të brendshëm me administratën.

Në të kaluarën, ajo është vënë nën hetim për mashtrime zgjedhore në SHBA, përfshirë zgjedhjet e vitit 2020, kur ka dyshime se ka vepruar jashtë kompetencave të saj.

Gabbard, ish-kongresiste demokrate nga Hawaii dhe më pas aleate e presidentit Trump, ishte emëruar në krye të Inteligjencës Kombëtare pas zgjedhjeve të vitit 2024, duke mbikëqyrur 18 agjencitë kryesore të inteligjencës amerikane. /tvklan.al

Read Previous

Formula 1 | Hamilton: Shumë njerëz duan që të largohem, por do të jem këtu edhe për 5 vitet e ardhshme

Read Next

Xhiroja e fundit e La Ligas premton dramë të madhe