Gjykata Speciale rrëzon kërkesën e mbrojtjes së Thaçit, ia lejon Prokurorisë të dorëzojë ende materiale

Trupi gjykues në rastin e Thaçit dhe të tjerëve, ka vendosur edhe për një çështje në favor të Prokurorisë së Hagës.

Kjo duke lejuar dorëzimin e materialeve edhe pasi procesi është përmbyllur.

Sipas vendimit të Speciales, Prokuroria ka dorëzuar materiale më 4 dhe 10 mars, por që sipas vendimit, nuk ka prova të reja në procedurë.

“Paneli vëren se Mbrojtja e Thaçit e ngre këtë argument për herë të parë në Përgjigjen e saj dhe, në kundërshtim me Rregullin 76, këto argumente nuk adresojnë asnjë çështje të ngritur nga PSP-ja në Përgjigje. Sidoqoftë, Paneli vëren se Rregulli 139 përcakton qartë cilat prova do të shqyrtojë Paneli për qëllimet e vendimit dhe siç u tha nga Gjyqtari i Procedurës Paraprake, një panel Gjyqtarësh profesionistë mund të vlerësojë vetëm provat e pranuara para tij në gjyq. Nëse ato janë, siç pretendohet nga Mbrojtja, inkriminuese apo, siç etiketohen nga PSP-ja, shfajësuese, është pra e parëndësishme dhe Mbrojtja nuk ka arritur të tregojë ndonjë paragjykim që do të kërkonte një lehtësim. Prandaj, këto argumente hidhen poshtë”, thuhet në vendim.

“Për dallim nga parashtrimet e Mbrojtjes, Paneli gjen se dorëzimi nuk përbën parashtrim apo prova drejtuar Panelit në kuadër të këtij Rregulli”, thuhet më tutje.

Nacionale kishte raportuar kohë më parë për kërkesën e mbrojtjes së Thaçit.

Gjykimi në rastin e krerëve të UÇK-së ka përfunduar.

Madje, edhe vetë gjyqtarët theksuan se asnjë material i ri nuk mund të dorëzohet, përveç në rrethana të jashtëzakonshme.

Pavarësisht kësaj, Prokuroria e Hagës ka vazhduar me deponimin e disa provave e dokumenteve lidhur me këtë rast.

Kjo bëhet e ditur në një ankesë që është dorëzuar nga mbrojtja e Hashim Thaçit, raporton Nacionale.

Në ankesën e mbrojtjes së Thaçit thuhet se Prokuroria ka dorëzuar materiale më 4 mars, 10 mars dhe 11 mars, pavarësisht se gjykimi ka përfunduar.

“Më 18 shkurt 2026, Trupi Gjykues e mbylli çështjen në përputhje me Rregullën 136 dhe deklaroi shprehimisht se “në përputhje me Rregullën 136, nuk mund të bëhen më paraqitje apo të dorëzohen prova të tjera para Trupit në këtë fazë, përveç në rrethana të jashtëzakonshme dhe kur ekziston arsye e justifikuar. Kjo, natyrisht, nuk përfshin çështjet që duhet të rishikohen rregullisht, siç është paraburgimi.”, thuhet në nisje të ankesës.

Sipas mbrojtjes, nuk lejohet që edhe më tutje të dërgohen prova të tilla.

“Për më tepër, arsyetimi në Vendimin Kornizë për t’i dhënë qasje Gjykatësit të Procedurës Paraprake (dhe më pas Trupit Gjykues) në nxjerrjet e materialeve sipas Rregullave 102 dhe 103 nuk vlen më. Gjykatësi i Procedurës Paraprake kishte konstatuar se duhej të merrte kopje të këtyre nxjerrjeve të materialeve për shkak të “detyrës së tij për të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për përgatitjen e shpejtë të çështjes për gjykim” dhe për të siguruar që “provat relevante, qoftë ato të rëndësishme për përgatitjen e Mbrojtjes apo potencialisht shfajësuese, të zbulohen brenda afatit të caktuar.” Këto shqetësime nuk vlejnë më, duke qenë se procedurat tashmë janë mbyllur. Nëse ZPS-ja zbulon materiale shfajësuese që kërkojnë rihapjen e çështjes, i takon Mbrojtjes të paraqesë një kërkesë në përputhje me Rregullën 136 dhe të dëshmojë arsye të justifikuar dhe rrethana të jashtëzakonshme për pranimin e atij materiali si prove”, thuhet në këtë ankesë.

Si rezultat, mbrojtja e Thaçi ka pasur kërkesë direkte për gjyqtarët që të mos nxjerren prova të tjera.

“Për arsyet e sipërpërmendura, Mbrojtja i kërkon me respekt Trupit Gjykues që: TË URDHËROJË ZPS-në të mos bëjë zbulime të provave shtesë para Trupit Gjykues, qoftë përmes Legal Workflow apo ndryshe, përveç nëse mund të dëshmojë arsye të justifikuar dhe rrethana të jashtëzakonshme për ta bërë këtë”, thuhet në ankesën e mbrojtjes së Thaçit. /Nacionale/

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Read Previous

Në shkollën “Mazllum Këpuska” u mbajt ligjeratë vetëdijësuese mbi autizmin

Read Next

Banka e Shqipërisë: Ekonomia në rritje, por rreziqe nga tensionet gjeopolitike