Shoqërohen në Polici u.d kryeshefja e ARBK-së dhe dy zyrtarë të tjerë
Tre zyrtarë të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve, duke përfshirë ushtruesen e detyrës së kryeshefes së ARBK-së, Igballe Rexha-Jashari, janë shoqëruar në Polici, ku edhe janë intervistuar.
Lajmi është konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.
“Të gjithë të dyshuarit janë intervistuar në polici për intervistimin e tyre. Ndërkaq, Prokurori i shtetit është në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve ligjore në lidhje me këtë rast”, ka thënë zëdhënësja Kaltrina Shala.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se aksioni në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK) është zhvilluar në bashkëpunim dhe koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, dhe njësitë e tjera mbështetëse, nën dyshimin për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve”.
Sipas Prokurorisë, ky aksion u zhvillua në orët e hershme të së mërkurës, në bazë të urdhrit të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, në orët e hershme të mëngjesit të ditës së sotme. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.