Sot dita e dytë e negociatave me Rusinë, Zelensky thotë se Trumpi po i bën presion Ukrainës

Negociatorët nga Ukraina dhe Rusia pritet të nisnin ditën e dytë të bisedimeve në Gjenevë të mërkurën, teksa presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, thotë se Shtetet e Bashkuara po ushtrojnë presion të padrejtë ndaj tij për t’i dhënë fund luftës katërvjeçare.

Bisedimet e paqes të ndërmjetësuara nga SHBA-ja në Zvicër po zhvillohen ndërsa presidenti amerikan, Donald Trump, ka sugjeruar dy herë ditët e fundit se i takon Ukrainës dhe Zelenskyt të ndërmarrin hapa për të siguruar suksesin e negociatave.

Në një intervistë për Axios, të publikuar të martën, Zelensky është cituar të ketë thënë se “nuk është e drejtë” që Trumpi vazhdimisht i bën thirrje publike Ukrainës, dhe jo Rusisë, për të bërë lëshime në negociimin e kushteve të një plani paqeje.

Zelensky ka thënë gjithashtu se çdo plan që do të kërkonte nga Ukraina të hiqte dorë nga territore që Rusia nuk i ka pushtuar në rajonin lindor të Donbasit do të refuzohej nga ukrainasit nëse do të vihej në referendum.

“Shpresoj që kjo të jetë vetëm taktikë e tij dhe jo një vendim”, ka cituar Axios fjalët e Zelenskyt në intervistë.

Mirëpo ai e ka falënderuar sërish Trumpin për përpjekjet e tij për paqe dhe i ka thënë Axios se bisedat e tij me negociatorët e lartë amerikanë, të dërguarin Steve Ëitkoff dhe dhëndrin e presidentit, Jared Kushner, nuk përfshinin të njëjtin lloj presioni.

Takimi në Gjenevë pason dy runde bisedimesh të ndërmjetësuara nga SHBA-ja në Abu Dhabi, të cilat përfunduan pa një përparim të madh, pasi palët mbetën larg njëra-tjetrës në një nga çështjet kryesore, që është kontrolli i territorit në Ukrainën lindore.

Ndërkohë, herët të mërkurën, Ëitkoff ka thënë se përpjekjet e Trumpit për të sjellë Rusinë dhe Ukrainën në tryezën e bisedimeve po jepnin fryte.

“Suksesi i presidentit Trump në bashkimin e të dyja palëve të kësaj lufte ka sjellë përparim domethënës dhe ne jemi krenarë të punojmë nën udhëheqjen e tij për të ndalur vrasjet në këtë konflikt të tmerrshëm”, ka shkruar ai në X./koha.net

Read Previous

Skuadrat mysafire, favorite të mëdha në ndeshjet e së mërkurës

Read Next

Osmani për një mandat të dytë: Në dorën e deputetëve, jam e gatshme të vazhdoj kontributin