Një muaj paraburgim për 15 kryesues të dyshuar për manipulim të votave

Gjykata Themelore në Gjakovë ka caktuar masën e paraburgimit ndaj 15 personave të dyshuar për falsifikim të rezultateve të votimit në Komunën e Malishevës, duke aprovuar kërkesat e Prokurorisë Themelore në Gjakovë.

Vendimi është marrë pas mbajtjes së dy seancave dëgjimore të ndara, të zhvilluara në orët e mbrëmjes, ku gjykata ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit, në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale të falsifikimit të rezultateve të votimit.

Komunikata e plotë:

📣 Paraburgim për 15 persona të dyshuar për falsifikim të rezultateve të votimit në Malishevë
🔵 Gjykata Themelore në Gjakovë, në dy seanca të ndara dëgjimore, të mbajtura dje, njëra në ora 18:30 ndërsa tjetra në ora 21:55, sot ka nxjerrë vendim duke aprovuar kërkesat e Prokurorisë Themelore në Gjakovë dhe ka caktuar masën e paraburgimit ndaj pesëmbëdhjetë (15) personave, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të falsifikimit të rezultateve të votimit.
🟣 Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit, në cilësinë e kryesuesve të komisioneve për numërimin e votave, me autorizime të marra nga KQZ, në Qendrën Komunale të Numërimit në Malishevë, e vendosur në palestrën e sporteve “Habib Zogaj”, me veprime të kundërligjshme kanë ndërhyrë në procesin e votimit, duke falsifikuar rezultatet e tij, me ç’rast kanë cenuar integritetin e procesit zgjedhor dhe vullnetin e lirë të votuesve.
🟤 Gjyqtari i procedurës paraprake, Sulltan Dobraj, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve, pasi ekziston rreziku real që, nëse gjenden në liri, të njëjtit mund të ndikojnë në dëshmitarë dhe të pengojnë rrjedhën e procedurës penale, duke pasur parasysh se bëhet fjalë për një vepër penale me peshë të rëndë.
🟡 Me këtë vendim, të pandehurit do të mbahen në paraburgim në kohëzgjatje prej një (1) muaji, kohë kjo që do të llogaritet nga dita e arrestimit të tyre e deri me 28 shkurt 2026.
🏛 Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës, brenda afatit ligjor.


👇 Më poshtë gjeni kronikën e detajuar:

Read Previous

Kronikë | 27 vjet nga masakra në Rogovë të Hasit

Read Next

Importi i produkteve serbe në rënie, Piraj: Qytetarët janë vetëdijesuar shumë