Këshilli Gjyqësor vendos të shpall konkurs për tre anëtarë

Këshilli Gjyqësor i Kosovës në takimin e 357-të vendosi të shpall konkurs për tri pozita të lira për anëtarë të KGJK-së.

Dy pozita do të jenë për anëtarë të Këshillit nga radhët e gjyqtarëve të Gjykatës Supreme dhe një pozitë për anëtar të Këshillit nga radhët e gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit dhe Dhomave të Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Siç u tha në mbledhje, njëri kandidat gjyqtar për anëtarë të Këshillit nga Gjykata Supreme dhe kandidati i Gjykatës së Apelit/Dhomat e Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale, duhet të vijnë nga radhët e gjinisë femërore, në pajtim me nenin 3 dhe 6, paragrafi 4 të Rregullores (Nr. 09/2019) për Procedurën dhe Kriteret e Zgjedhjes së Anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës nga gjyqësori.

Lidhur me këtë konkurs, anëtarët e KGJK-së kanë themeluar Komisionin për pranimin, shqyrtimin e dokumentacionit dhe mbikëqyrjen e procesit të zgjedhjes së kandidatëve për anëtarë të KGJK-së nga gjyqësori.

Në komision do të jenë Drita Rexha, Fidan Hoxha dhe Dritan Abazi.

Gjithashtu, KGJK ka marrë vendim për shpalljen e konkursit për gjashtë bashkëpunëtorë profesionalë në Gjykatën Supreme, prej të cilave një pozitë është e rezervuar për komunitetin serb.

Anëtarët e KGJK-së kanë themeluar Komisionin për rekrutimin e bashkëpunëtorëve profesionalë, si dhe Komisionin për rishqyrtim të ankesave të kandidatëve.

Në këtë mbledhje, Këshilli hapi konkurs të brendshëm për gjashtë pozita, ku një prej tyre është për komunitetin serb, për transferim të përhershëm të gjyqtarëve në Departamentin për Çështje Administrative të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Gjithashtu, KGJK ka themeluar Komisionin për shqyrtimin e aplikacioneve, intervistimin, vlerësimin dhe rekomandimin e kandidatëve për ngritje në detyrë në Departamentin për Çështje Administrative të Gjykatës Themelore në Prishtinë, si dhe Komisionin për rishqyrtimin e ankesave të kandidatëve për ngritje në detyrë në të njëjtën gjykatë./reporteri

Read Previous

Rreth 100 prokurorë të angazhuar për mbrojtjen e votës në zgjedhjet e së dielës

Read Next

Gjermania publikon shifrat për vizat e bashkimit familjar, shqiptarët nga Kosova dhe Shqipëria ndër aplikuesit kryesorë