KQZ për votat në Mitrovicë dhe Gjakovë: Kompania që i shtyp fletëvotimet e merr përgjegjësinë për gabimin

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme ka pranuar një sqarim zyrtar lidhur me gabimin e evidentuar në disa fletëvotime të zgjedhjeve lokale të 9 nëntorit 2025 në Mitrovicë të Jugut dhe Gjakovë.

Sipas njoftimit, pas pranimit të fotografive që tregonin gabimin, kompania përgjegjëse ka zhvilluar një hetim të plotë të procesit të prodhimit dhe përgatitjes së të dhënave. Hetimi ka konfirmuar se problemi ndodhi vetëm në një nga katër kokat e printerit që shtyp numrin e vendvotimit, ndërkohë që sistemi i kontrollit monitoron vetëm numrin serik (QR kodin), prandaj gabimi nuk u zbulua gjatë shtypjes.

“CETIS thekson se merr plotësisht përgjegjësinë për këtë gabim teknik, duke nënvizuar se fletëvotimet përmbajnë elemente të shumta sigurie që e bëjnë të pamundur falsifikimin ose kopjimin e tyre. Kompania shpreh keqardhje të thellë për incidentin dhe konfirmon se mbetet në dispozicion të plotë të KQZ-së për çdo ndihmë në hetimin dhe verifikimin e fletëvotimeve për të sqaruar rrethanat e rastit”, thuhet në reagimin e KQZ-së.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se për këtë përgjigje është njoftuar edhe Prokuroria e Shtetit. /GazetaSinjali/

Read Previous

Analiza: Gara bërthamore po rikthehet në qendër të politikës botërore

Read Next

FMN: Shqipëria, mes vendeve me rritjen ekonomike më të shpejtë në Evropë