GTA 6 pritet të sjellë fitime rekord, parashikohen miliona porosi paraprake
Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul bëri thirrje sot për një reformë të Kombeve të Bashkuara në mënyrë që institucioni global të jetë në gjendje të përballojë sfidat e shekullit XXI.
”Më shumë se çdo gjë tjetër, kjo do të thotë që Jugut Global, veçanërisht Afrikës, duhet t’i jepet më shumë peshë”, tha Wadephul në një debat parlamentar për 80-vjetorin e OKB-së.
Ndërsa pranoi se OKB-ja ndonjëherë ka qenë e paaftë për veprim, kryediplomati gjerman tha se organizata me 193 anëtarë mbetet forumi i vetëm në të cilin të gjitha shtetet e botës mund të flasin me njëra-tjetrën.
Wadephul nënvizoi nevojën që Gjermania të jetë e gatshme të marrë një rol udhëheqës brenda OKB-së.
Gjermania po kandidon për një vend jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për vitet 2027-2028.
Ligjvënësit e pothuajse të gjitha fraksioneve theksuan rëndësinë e institucionit, me Isabel Cademartori, një social-demokrate, që e përshkroi OKB-në si zemrën e domosdoshme të një bote të globalizuar në të cilën asnjë krizë nuk ndalet në kufijtë kombëtarë.
Megjithatë, Beatrix von Storch, një anëtare e ”Alternativës për Gjermaninë”, vuri në dyshim integritetin e OKB-së.
”Organizata ka qenë e dominuar nga regjime autoritare, despotë, shtete të korruptuara dhe vende në zhvillim”, tha ajo ”të cilat do të lejoheshin të merrnin vendime për shtete demokratike si Gjermania”.
“Ndërkohë, kush paguan për të gjitha këto? Sigurisht, taksapaguesi gjerman”, akuzoi von Storch. /ATSH-DPA/