Rama tregon skemën: Pensionet do të rriten çdo muaj nga janari, paga minimale shkon në 500 euro

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka zbuluar detaje të reja për rritjen e pensioneve dhe pagave, duke e cilësuar këtë si “mandatin e rritjes së përvitshme të pensioneve dhe të mirëqenies sociale”.

Rama tha se, përveç bonusit të plotë që pensionistët do të marrin në dhjetor, nga janari 2026 do të nisë një rritje mujore e pensioneve, e ndërtuar mbi “logjikën e bonusit përmbi indeksimin e përvitshëm”.

“Ky moment do të vazhdojë vit pas viti dhe pensioni do të rritet duke u përputhur me objektivat ambicioze që kemi shpallur gjatë fushatës elektorale”, deklaroi Rama.

Sipas tij, rritjet përfundimtare do të çojnë pensionet në nivelet e mëposhtme:

  • Pensioni urban me vitet e plota të punës: 40 mijë lekë (nga 27 mijë e 350 sot);
  • Pensioni urban i pjesshëm: 22 mijë lekë (nga 15 mijë e 850);
  • Pensioni rural: 18 mijë lekë (nga 11 mijë e 500);
  • Pensioni familjar: 18 mijë lekë (nga 14 mijë);
  • Pensioni i invaliditetit: 30 mijë lekë (nga 20 mijë).

Në fazën e parë, nga janari 2026, pensionet do të rriten çdo muaj si më poshtë (pa përfshirë indeksimin vjetor):

  • Urban me vitet e plota të punës: +1 800 lekë në muaj;
  • Urban i pjesshëm: +800 lekë në muaj;
  • Rural: +1 000 lekë në muaj.

Rama theksoi se këto shifra do të dyfishohen në vitin 2027, trefishohen në 2028 dhe pesëfishohen në 2030, në përputhje me “planin financiar dhe buxhetin e dakordësuar”.

“Vlera e zotuar do të jetë e realizuar në respekt të 83 mandateve që na janë dhënë, sepse ne themi atë që bëjmë dhe bëjmë atë që themi”, shtoi kryeministri.

Paga minimale dhe subvencionet për sektorin privat

Sa i përket pagës minimale, Rama njoftoi se ajo do të rritet në 500 euro, duke u bërë kufiri ligjor më i ulët për çdo të punësuar në Shqipëri.

“Rritja e pagës minimale në 500 euro do të thotë që askush në Republikën e Shqipërisë nuk do të ketë pagë më të ulët se kjo. Nuk do të jetë rritja e fundit – gjatë mandatit të katërt paga minimale do të arrijë në 700 euro”, tha Rama.

Qeveria do të subvencionojë me 90 milionë euro shtesën e kostos së sigurimeve për punonjësit e sektorit privat që përfitojnë nga paga minimale e re.

Në sektorin publik, 10 mijë e 600 punonjës shërbimi do të marrin rritje page prej 10 mijë lekësh në muaj, ndërsa specialistët do të përfitojnë +5 mijë lekë, dhe mësuesit +3 mijë lekë në muaj.

Rama shtoi se për herë të parë do të aplikohet indeksimi automatik i pagave sipas inflacionit, në mënyrë që “pagat reale të mos humbasin vlerë përballë rritjes së çmimeve”. /Albanianpost.com

Read Previous

Formula 1| Verstappen: Nuk ndjej asnjë presion, kam bërë më të mirën këtë sezon me këtë makinë

Read Next

Raporti Mujor i Spitalit të Përgjithshëm në Gjakovë, Tetor 2025