Shqipëria synon të ofrojë ID digjitale në fillim të vitit 2026

Kryeministri Edi Rama mori pjesë të hënën në aktivitetin e prezantimit të Identitetit Digjital, një projekt që, sipas tij, do të vendosë qytetarin në qendër të marrëdhënies me shtetin përmes teknologjisë.

“Ky është një tjetër moment i shumëpritur dhe i mirëpritur sepse prej disa kohësh tanimë ne jemi angazhuar me shumë dëshirë, por edhe me ambicie si gjithmonë për të krijuar identitetin digjital, i cili është baza e një kapërcimi tjetër të madh dhe një projektimi në të ardhmen”, u shpreh Rama gjatë fjalës së tij.

Kreu i qeverisë theksoi se sistemi do të jetë gati për të gjithë qytetarët në fillim të vitit të ardhshëm.

“Çfarë po demonstrohet sot do të jetë në dispozicion të publikut dhe të raportit mes qytetarit, shtetit dhe ekonomisë sonë në fillim të vitit të ardhshëm”, shtoi kryeministri.

Rama u ndal edhe te krahasimi me Bashkimin Evropian, duke theksuar se Shqipëria po ecën me ritëm të shpejtë në këtë drejtim.

“BE po ashtu po përgatitet për identitetin digjital dhe objektivi i shpallur i BE, është që në vitin 2027, qytetarët e BE të mund të pajisen me identitetin e tyre digjital. Ne do të jemi një vit më parë ”, shtoi ai.

Kryeministri Rama tha se Shqipëria tashmë është një vend lider në rajon sa i përket sa i përket shërbimeve publike dhe inovacionit.

“Ne besojmë shumë tek fuqia e inovacionit, prandaj jemi përkushtuar inovacionit duke u bërë faktikisht një vend lider në rajon përsa i përket shërbimeve publike përsa i përket inovacionit dhe duke krijuar një bazë solide për të imagjinuar transformime në çdo sektor, falë inovacionit dhe tanimë edhe falë AI”, tha ndër të tjera kreu i qeverisë. /Albanianpost.com

Read Previous

Verstappen ndez garën për titull – fund sezoni dramatik në Formula 1!

Read Next

Lindon Emërllahu beson se Kosova do të kualifikohet në Kampionatin Botëror