Bashkimi Evropian synon lehtësimin e rregullave të anëtarësimit

Diplomatët evropianë kanë nisur diskutimet në Bruksel për të ndryshuar rregullat e anëtarësimit në BE për shtetet kandidate.

Iniciativa do t’u lejonte vendeve në rrugën e anëtarësimit, si Shqipëria dhe Mali i Zi, të gëzonin në të ardhmen e afërt shumë nga përfitimet e anëtarësimit në BE, por pa të drejtën e vetos. Ky shihet si një veprim që mund t’i bëjë udhëheqës si kryeministri hungarez Viktor Orbán më të prirur për të pranuar anëtarësimin e shpejtë të Ukrainës dhe shteteve ballkanike në familjen evropiane.

Bashkimi Evropian ka në plan po ashtu të zbatojë reforma që do ta bënin më të vështirë për shtetet individuale të vendosin veton ndaj politikave të përbashkëta.

Është kjo përpjekja e fundit nga qeveritë pro-zgjerimit të BE-së, si Austria dhe Suedia, për t’i dhënë jetë të re procesit të zgjerimit, i cili aktualisht është bllokuar nga Budapesti dhe disa kryeqytete të tjera, nga frika se zgjerimi mund të sjellë konkurrencë të padëshiruar në tregjet lokale ose të kërcënojë interesat e sigurisë.

“Kur e shohim zgjerimin sot, një gjë është e qartë: duhet të bëhemi më të shpejtë, më pak burokratikë dhe më efikasë. Nëse BE-ja nuk e përshpejton ritmin e procesit të zgjerimit, do të humbasë përballë ndikimit të aktorëve të tjerë që tashmë presin të zgjerojnë edhe më tej ndikimin në Ballkanin Perëndimor, si Rusia apo Kina”, tha Claudia Plakolm, ministre për çështjet evropiane e Austrisë.

Bashkimi Evropian e ka vendosur zgjerimin në qendër të strategjisë së tij për të rritur numrin e anëtarëve nga 27, që janë aktualisht, në 30 gjatë dekadës së ardhshme. Anëtarët e ardhshëm të BE-së duhet të heqin dorë nga të drejtat e tyre të vetos derisa të zbatohen reformat kyçe institucionale, siç është futja e votimit me shumicë të kualifikuar.

Kjo ide do të lejonte një qasje më fleksibile pa pasur nevojë të ndryshoheshin traktatet themelore të BE-së, një opsion që shumë qeveri e konsiderojnë të papranueshëm.

Përpjekjet për të hequr të drejtën e vetos kanë hasur në kundërshtim të fortë, jo vetëm nga Hungaria, por edhe nga Franca dhe Holanda.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e ka vendosur zgjerimin në qendër të strategjisë së saj, duke premtuar anëtarësimin e Shqipërisë, Malit të Zi, Ukrainës dhe Moldavisë deri në vitin 2030.

Udhëheqësit nga Ballkani Perëndimor, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, do të takohen në Londër të mërkurën për samitin e “Procesit të Berlinit”, i cili do të përqendrohet edhe në forcimin e integrimit rajonal mes këtyre vendeve si një hap drejt anëtarësimit në BE.

Si pjesë e paketës së zgjerimit, Komisioni Evropian pritet në ditët në vijim të paraqesë propozime për reforma të brendshme të BE-së për t’u përgatitur për pranimin e anëtarëve të rinj.

Komisioni Evropian mund të përshpejtojë procesin e zgjerimit duke ecur përpara me negociatat pa kërkuar miratim formal nga të 27 anëtarët në çdo fazë, duke shmangur kështu dhënien e fuqisë së vetos Viktor Orbán në çdo hap. /tvklan.al

Read Previous

Arbër Hoxha shpallet lojtari i muajit në Kroaci

Read Next

Zelensky i gatshëm të takohet me Trumpin dhe Putinin në Budapest