Rama: Inteligjenca artificiale, mundësi për zhvillim të shpejtë

Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në forumin e Investimeve WB6- Bashkimi Europian, në aktivitetin Hackathon-i Rajonal i Inteligjencës Artificiale 2025 që ka bërë bashkë 161 pjesëmarrës nga i gjithë Ballkani Perëndimor dhe diaspora, me synimin për të zhvilluar zgjidhje konkrete të bazuara në inteligjencën artificiale (AI) për sfida reale shoqërore.

Në fjalën e tij, Rama u shpreh se, “është një bekim i madh për ne që jetojmë në këtë kohë kur teknologjia dixhitale dhe tani edhe inteligjenca artificiale na japin një mundësi pa të cilën ne nuk do mund të ëndërronim që të kapnim majat, sepse do duhet t’i nënshtroheshim progresit linear të zhvillimit, i cili impononte gjithmonë që vendet më pak të zhvilluara ose vendet në zhvillim të mbeteshin gjithmonë mbrapa atyre të zhvilluara sepse çdo gjë e re që zhvillimi sillte i takonte në radhë të parë atyre dhe pastaj vinte deri tek ne.

Ose nëse dilte një makinë shkrimi e re, apo një kompjuter i ri do ta merrnin njëherë ata dhe pastaj kur të vinte deri tek ne, atje do të kishte dalë makina e re e shkrimit apo kompjuteri tjetër i ri.

Ndërkohë, shtoi kreu i qeverisë, sot është krejt ndryshe.

“Madje duke qenë se burokracia jonë, se strukturat tona nuk janë aq solide dhe aq të sofistikuara dhe aq të rënda sa po themi në vende të zhvilluara si Gjermania apo Franca, atëherë bëhet më e lehtë që ne t’i drejtohemi këtyre zgjidhjeve për të bërë kapërcime dhe për të kaluar në faza të reja të zhvillimit”, tha Rama.

“Natyrisht, duke qenë se këtu, në këtë pikë, fokusohet edhe ambicia për zhvillime befasuese atëherë kjo ju bën të gjithëve ju jashtëzakonisht të rëndësishëm, jashtëzakonisht të rëndësishëm. Një kapital strategjik njerëzor për vendin tonë, iu drejtua Rama pjesëmarrësve në aktivitetin Hackathon-i Rajonal i Inteligjencës Artificiale 2025.

Kryeministri gjithashtu nënvizoi se nuk do të mungojë vëmendja e qeverisë për ta, por shtoi se, “ne nuk do të kursejmë mbështetjen për të gjithë inovatorët me të gjitha mundësitë që kemi”. /ATSH/

Read Previous

Alexander ​Isak reagon pas humbjes nga Kosova

Read Next

Kievi thotë se Rusia ka goditur një autokolonë me ndihma të OKB-së