Berisha: Mbështesim Florjan Binajn si kandidat për Tiranën

Partia Demokratike do të mbështesë aktorin e humorit Florjan Binajn, si kandidat për zgjedhjet e pjesshme parlamentare për bashkinë e Tiranës, të cilat do të zhvillohen më 9 nëntor.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha sot se grupi i mandatuar nga PD do u paraqesë aleatëve kandidaturën e Florjan Binajt.

Berisha e vlerësoi Binajn si “luftëtarin e paepur të kauzave të qytetarëve shqiptarë”.

“Jam sot këtu për t’u informuar ju dhe qytetarët e Tiranës, dhe mbarë Shqipërisë se grupi i mandatuar nga PD do u paraqesë aleatëve tanë mendimin dhe sugjerimin që të mbështesim së bashku artistin e mirënjohur, personalitetin e shquar të artit, luftëtarin e paepur të kauzave të qytetarëve shqiptarë, komunikatorin e talentuar, e lindur, zotin Florjan Binaj”, tha Berisha.

Berisha ftoi aleatët dhe qytetarët ta mbështesin këtë kandidaturë, “një kandidaturë që i bën nder çdo qytetari dhe kryeqytetit të vendit”.

“Shpresoj që aleatët, opozitarët, të bashkohemi në këtë mbështetje ndaj një personaliteti me reputacion të gjerë, tek i cili gjejnë veten më shumë se kushdo tjetër të përfaqësuar, qytetarët e Tiranës. Florian Binaj është nga ata artistë që konsideron kauzat qytetare si kauzat e tij. Dhe të gjithë ju jeni dëshmitarë të betejave që ai ka bërë së bashku me të tjerë në mbrojtje të këtyre kauzave”, u shpreh Berisha.

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha se PD është e gatshme të angazhojë, pas rënies dakord me forcat e tjera politike, të gjithë potencialet që kandidati e gjykon se i shërbejnë fitores së tij.

Edhe partia Lëvizja “Shqipëria Bëhet” ka vendosur që në Bashkinë Tiranë të mbështesë kandidatin e pavarur Florjan Binaj.

Berisha gjatë konferencës me gazetarët u pyet edhe në lidhje me kandidaturat për pesë bashkitë e tjera, Berisha tha se “çdo kandidaturë e pavarur do të vlerësohet”.

Zgjedhjet e pjesshme lokale do të zhvillohen në gjashtë bashki, në Tiranë, Berat, Tepelenë, Cërrik, Mat dhe Vlorë, në 9 nëntor.

Për bashkinë e Tiranës, deri sot, PS ka propozuar emrin e Ogerta Manastirliut, ndërsa Lëvizja Bashkë, Arlind Qorin.  /ATSH/

Read Previous

​OpenAI premton “kontroll më të detajuar” për të drejtat e autorit pas gjenerimit të videove me personazhe

Read Next

Osmani: Vuçiq tentoi ta sabotojë Samitin Brdo-Brijuni