NATO-ja do të diskutojë për dronët që u futën në Poloni

Këshilli i Atlantikut të Veriut do të mblidhet të mërkurën në mëngjes për një sesion të rregullt dhe do të diskutojë mbi mënyrën se si NATO-ja reagoi ndaj dronëve që hynë në Poloni gjatë natës, tha zëdhënësja e NATO-s, Allison Hart.

Çfarë ndodhi në Poloni?

  • Gjatë natës, një “numër i madh” dronësh rusë u rrëzuan mbi hapësirën ajrore të Polonisë, tha kryeministri i vendit, Donald Tusk.
  • Duke folur para një mbledhjeje emergjente, Tusk tha se kjo ishte hera e parë që dronë rusë u rrëzuan mbi Poloni.
  • Polonia mbylli përkohësisht hapësirën ajrore dhe nisi një operacion ushtarak, ku u përfshinë edhe avionë të NATO-s dhe holandezë. Banorët në tri rajone polake përgjatë kufirit me Ukrainën u udhëzuan të qëndronin në shtëpi.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se ky ishte “një tjetër hap i përshkallëzimit” nga Rusia.
  • Forcat ajrore ukrainase thanë se sulmi rus përfshinte 415 dronë, një raketë balistike dhe 42 raketa lundruese, dhe se “tetë UAV [dronë] të armikut kaluan kufirin shtetëror të Ukrainës duke fluturuar drejt Polonisë”.
  • Aeroportet polake janë rihapur që nga atëherë dhe operacioni ushtarak ka përfunduar.
  • Rusia ende nuk ka komentuar. /Radio Evropa e Lirë/

Read Previous

BE-ja dhe Franca dënojnë shkeljen e hapësirës ajrore të Polonisë nga dronët rusë

Read Next

KQZ-ja fton qytetarët të kontrollojnë adresën e qendrës së votimit