“Të Vegjlit e Gjakovës” me Arsa Saraqini, nga nesër në TV Syri Vision
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, njoftoi se Kuvendi ka përfunduar shqyrtimin e pozicioneve negociuese për gjashtë grupkapitujt që i janë paraqitur për miratim Këshillit të Ministrave, duke shënuar një hap të rëndësishëm në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Në një postim në media sociale, Spiropali bëri të ditur se me mbledhjen e Komisionit për Çështjet Evropiane u shqyrtua draftpozicioni negociues për Grupkapitullin V “Burimet, bujqësia dhe kohezioni” dhe përfundoi shqyrtimi i të gjithë gjashtë grupkapitujve: I “Themelorët”, II “Tregu i brendshëm”, III “Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse”, IV “Agjenda e gjelbër dhe ndërlidhja e qëndrueshme”, V “Burimet, bujqësia dhe kohezioni” dhe VI “Marrëdhëniet me jashtë”.
Ajo shtoi se shumë shpejt pritet mbajtja e dy konferencave ndërqeveritare BE-Shqipëri, të cilat, me hapjen e negociatave për grupkapitujt IV dhe V, do të shënojnë fillimin e negociatave për të gjithë grupkapitujt.
Kryetarja e Kuvendit theksoi se anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian mbetet kryefjala e Legjislaturës XI dhe e Kuvendit të ri.
Shqipëria po ecën me hapa të sigurt në negociatat me BE-në, thotë Dhuka
Është mbledhur këtë të premte të 29 gushtit Komisioni për Çështjet Evropiane për të shqyrtuar projekt pozicionin negociues për Grupkapitullin e V-të “Burimet, bujqësia dhe kohezioni” për negociatat me BE-në.
Aty ka raportuar Ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja e Shqipërisë me Bashkimin Evropian, Majlinda Dhuka, e cila vlerësoi se “Shqipëria po ecën me hapa të sigurt dhe sistematik në procesin e çeljes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian”.
Në 10 muajt e fundit, Dhuka theksoi se “kemi arritur të zhvillojmë me BE-së 4 konferenca ndërqeveritare dhe të çelim 24 kapituj dhe tre kritere”.
“Me diskutimet e sotme me ju, sa i përket grupit të fundit të kapitujve Shqipëria përfundon përgatitjet teknike për të çelur negociatat për të 33 kapitujt. Sigurisht që unë shpreh vlerësimin e madh për mbështetjen politike, vullnetin politik të vendeve anëtare mbështetjen e çmuar të Komisionit Evropian”.
Sipas saj, qartazi duket theksi i ripërtërirë i BE-së te zgjerimi.
“Grupi i kapitujve apo i fushave që do të diskutojmë sot ka një rëndësi të madhe për Shqipërinë dhe ekonominë shqiptare. Do të flasim për çështje të bujqësisë, të ushqimit dhe të sigurisë ushqimore të produkteve në treg, të peshkimit. Për çështje të lidhura me rajonet, bashkitë dhe zhvillimin e tyre”.
Ajo vijoi duke thënë se çështjet që do të diskutohen në këtë grupkapitull kanë rëndësi të veçantë për fermerët, agropërpunuesit, tregtuesit e produkteve ushqimore në tregun vendas, si dhe për eksportuesit, peshkatarët, rajonet dhe bashkitë tona.
“Me këtë grupkapitull Shqipëria e përmbyll fazën e çeljes së negociatave”, shtoi ajo.
“Sigurisht është në pritje të shqyrtimit dhe vendimit të vendeve anëtare, me besim dhe vlerësim në muajt e ardhshëm dhe kalon gradualisht në fazën tjetër të procesit, atë të mbylljes së negociatave dhe të përgatitjes teknike për mbylljen e negociatave”.
Konferenca ndërqeveritare Shqipëri- BE për hapjen e dy grup-kapitujve të mbetur të bisedimeve të anëtarësimit në Bashkimin Evropian pritet të mbahet në vjeshtë.
Enkelejd Musabelliu, zëvendësministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, ka thënë për Radiotelevizionin Shqiptar (RTSH) se gjithë procedura tjetër është kryer.
“Për dy grup-kapitujt e mbetur Shqipëria ka marrë një ftesë për të paraqitur pozicion e saj dhe në vjeshtë parashikohet edhe organizimi i konferencës së përbashkët ndërqeveritare mes Komisionit Evropian dhe Shqipërisë për të hapur zyrtarisht negociatat edhe këta këto dy grup-kapituj”.
Sipas tij, procedura është e drejtuar të përgatisë për përfitimet.
“Të bëhemi gati që aksesi në këtë treg prej 450 milionë konsumatorësh ta shfrytëzojmë në mënyrë maksimale për të marrë më të mirën”.
“Edhe ndryshimi që do ndodhi me përafrimin e plotë të legjislacionit nuk do të jetë aq drastik sa të kthehet në pengesë për biznese të caktuara”, ka shtuar ai.
Musabelliu ka ravijëzuar ndër të tjera se, anëtarësimi i njohur si një proces ku negociohet vetëm koha, ligjet e BE-së që transpozohen, nuk duhet ta trembë Shqipërinë.
“Edhe transpozimi i këtij legjislacioni nuk është i pamundur, aq më tepër me vullnetin e madh politik që kanë të dyja palët, të gjithë bashkë duhet të përgatitemi si shoqëri që të marrim më të mirën e mundshme me anëtarësimin në BE”.
Shqipëria është veçuar si një nga historitë më të suksesshme në rrugën drejt Bashkimit Evropian nga Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos.
Gjatë fjalës së saj në Samitin për Planin e Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor që po zhvillohet në Shkup, Kos theksoi progresin e Shqipërisë dhe vuri në dukje rolin aktiv të saj në procesin e reformave dhe hapjes së kapitujve të negociatave.
“Shqipëria, i dashur kryeministër Edi Rama, ka hapur tre klasterë gjatë gjashtë muajve të fundit. Faleminderit për kontributin tuaj në suksesin e procesit të zgjerimit. Nëse vazhdojmë me këtë ritëm, do të mund t’i hapim të gjithë klasterët këtë vit”, u shpreh Kos, duke e cilësuar Shqipërinë si një shembull për vendet e tjera të rajonit.
Komisionerja Kos theksoi se tani ekziston një konsensus i qartë për zgjerimin, ndryshe nga e kaluara, por paralajmëroi se “dritarja e mundësisë nuk do të jetë e hapur përgjithmonë”, duke u bërë thirrje vendeve të rajonit të përshpejtojnë zbatimin e reformave të domosdoshme.
“Po shohim përparim të rëndësishëm”, shtoi Kos, duke përmendur edhe Malin e Zi që ka mbyllur një kapitull të negociatave, si dhe Serbinë që ka nisur të përfitojë fondet e para nga BE-ja. Megjithatë, Shqipëria u përmend e para dhe me tonet më të qarta pozitive.
Plani i Rritjes është konceptuar si një mekanizëm për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor jo vetëm të përmbushin kriteret për anëtarësim, por edhe të fillojnë të përfitojnë konkretisht nga tregu i përbashkët evropian.
“Ky është një mjet për t’ju ndihmuar me reformat e rëndësishme, të cilat janë të domosdoshme edhe për t’ju përgatitur për anëtarësim. Njëkohësisht, ky plan ju mundëson që qytetarët dhe bizneset tuaja të përfitojnë nga tregu unik i BE-së, në kushte të barabarta me vendet anëtare. Dhe kjo, tani – jo në një të ardhme të largët”, u shpreh në vijim Kos.
Ajo shtoi se vendet e rajonit kanë bërë shumë, por tani është koha për të kaluar në fazën e zbatimit konkret.
“Thënë thjesht, kjo do të thotë që një sipërmarrës i ri, për shembull këtu në Shkup apo në Tiranë, mund të pranojë pagesa nga e gjithë Evropa po aq lehtë sa edhe një biznes në Vjenë apo Madrid”, solli në vëmendje komisionerja.
Samiti i Shkupit, i ndarë në dy panele, po fokusohet në mënyrën se si Plani i Rritjes mund të zbatohet në mënyrë efektive në të gjithë rajonin.
Në panelin e parë, krahas komisioneres Kos, fjalën hyrëse e mbajti edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski. Në panelin e dytë, pritet të diskutohet mbështetja teknike dhe financiare për vendet përfituese dhe mekanizmat konkretë të zbatimit të reformave. /Albanianpost.com